News / 2 Dhjetor 2022, 17:31

Living nën lupën e Santana Çomorës, kryeredaktorja rrëfen rrugëtimin 10-vjeçar në revistën më të dashur të shqiptarëve

Living nën lupën e Santana Çomorës, kryeredaktorja

Nga Santana Çomora / Kryeredaktore

Të jetosh pranë jush për kaq vite, duke u bërë një shoqërues i mirë i çasteve të relaksit, me një gotë verë a një çaj të ngrohtë, për një lexim të mirë e ndryshe nga formatet e mëparshme. Një guidë mode e mënyre të jetuari, mbushur me këshilla e sugjerime. Një revistë, e cila sot nuk është thjesht një biznes mediatik, por një familje e madhe, që rritet dita-ditës, falë lexuesve virtualë e atyre fizikë, besnikëve tanë, që kanë qenë aty në stenda për të marrë çdo botim të ri e për të shfletuar çdo kopertinë të bërë me shumë dashuri e punë: Kopertinë LIVING!

Sot, në një epokë të re, në një kohë kur realiteti dixhital duket se është kthyer në matësin e jetëgjatësisë së garantuar në treg, të gjithë duhet të përshtatemi e në fund të fundit ta shohim këtë kalim si një mundësi të re për të RIFILLUAR. Të freskët, me tema të reja, të sinqertë si çdo herë, por në thelb të njëjtët, me po atë dashuri për shkrimet e mira e me përgjegjësinë mbi supe për një përmbajtje të zgjedhur, ku përpos çdo titulli tërheqës e fotoje të bukur, mbartim përmbajtje e peshë në rreshtat e shkruar me vëmendje e kujdes.

LIVING është i njëjti dhe i tillë do të mbetet, pasi është fryt i një pune të palodhur, ndërtuar nga një staf që punën, fatmirësisht e ka pasion përmbi gjithçka. Do të jemi gjithmonë aty, me të rejat më të fundit, duke dhënë kontributin tonë, sado i vogël apo i madh, në përcjelljen e informacionit te ju, për një jetesë sa më të mirë. Do të jemi thjesht një klik larg, LIVING-Online. Më të shpejtë dhe më pranë jush, duke #LIVING-uar së bashku!

Gjatë këtyre viteve në treg kemi kaluar çaste të bukura e sfiduese. Qindra personazhe të intervistuara kanë hapur dyert e shtëpive e të zemrave për të shfaqur anën e tyre më autentike nëpërmjet LIVING! Gazetarë e bashkëpunëtorë që kanë ardhur e janë larguar, me buzëqeshje e përvoja të paharrueshme, të gdhendura në memorie, për t’u kujtuar me dashuri e nostalgji. Editoriale revolucionare e me standarde nga më të lartat, me fotografët më të mirë të vendit e me tendencat më të fundit botërore. Të gjitha këto, me synimin për të sjellë më të mirën për lexuesit tanë besnikë e për të ftuar çdokënd të bëhet pjesë e familjes sonë të madhe. Ne jemi LIVING dhe ju jeni ata që na shtyni përpara, duke na frymëzuar çdo ditë për të mos reshtur së kërkuari më të mirën.

Horoskop