Living Online 1 Dhjetor 2022

"Ne jemi Living" ideatorët e revistës më të dashur shqiptare në një rrëfim ekskluziv mbi përvojën e tyre 10-vjeçare

Living Online

Linda Fishta – Kuzhinë

Cila ka qenë periudha më e bukur e revistës, për sa i përket përgatitjes së recetave: pranvera, vera, vjeshta apo dimri?

Periudha më e bukur është dimri, që përkon me festat. Në muajin dhjetor magjia e festave ndihet kudo: qyteti dhe dyqanet e zbukuruara, darka e dreka me miqtë, blerja e dhuratave. Shkëputja nga puna na jep mundësi t’i përkushtohemi familjes. Të ushqehemi mirë është një nga kënaqësitë e jetës dhe ku ka rast më të mirë për të shijuar gatimet e mamave dhe gjysheve? Krishtlindje do të thotë të shijojmë pjatat e veçanta e të shijshme, së bashku me familjen.

Nga frymëzoheshe për të krijuar aq shumë receta çdo muaj? 

Për recetat frymëzohem shumë nga udhëtimet. Kudo ku shkoj, kam përcaktuar që më parë restorantet, pastiçeritë dhe pjatat e ëmbëlsirat që do të provoj. Natyrisht, më vijnë në ndihmë librat e kuzhinës që kam në bibliotekë.

Sa e vështirë është të japësh idenë e një recete gatimi nëpërmjet fotografive? 

Është e vështirë, sepse unë e shpjegoj recetën shumë hollësisht, duke imagjinuar që i drejtohem zonjave që nuk kanë aspak përvojë në kuzhinë. Çdo recetë e shkruaj me shumë dashuri, pa përtuar fare dhe kënaqem kur më shkruajnë e më thonë që gatimi u doli shumë i shijshëm.

Elona Jaçellari - Aktualitet

Cila ka qenë kopertina më e bukur dhe ajo më e vështirë? 

Do ta kisha të vështirë të bëja një ndarje të prerë. Në afro pesë vjet bashkëpunim me revistën “Living”, kam pasur fatin të realizoja një pjesë të mirë të kopertinave. Ky është një nga aspektet më të bukura të punës si gazetare: ke ekskluzivitetin t’i zhbirosh e njohësh më në thellësi ato personazhe të njohura, që për shumicën janë thjesht një “kopertinë”. Kështu ka qenë për shembull kopertina me Jonida Maliqin, të cilën më parë e njihja vetëm si personazh, më vonë si bashkëpunëtore në spektaklin e Tring, “Albanian Designer Competition”, ku kishim thjesht një komunikim formal. Kur jam ulur me Jonidën në kafe, për t’u “ngrohur” pak me njëra-tjetrën para se të fillonim intervistën, zbulova një njeri të ndjeshëm, të dashur dhe ishte nga të paktat personazhe që ma la të lirë rrugën e eksplorimit drejt saj. Më ka befasuar dëlirësia e Jonidës, sinqeriteti dhe shpirti i bukur.

Nëse do të duhej patjetër të veçoja një kopertinë si më të veçantën apo më të bukurën, për mua ka qenë ajo me Hanën dhe Brunën, për shkak të lidhjes së fortë shpirtërore që kam me të dyja, veçanërisht me Brunën, një nga miket e mia të zemrës. Veç të tjerash, këtë kopertinë e bënte të veçantë dhe shumë emocionuese Hana, e cila iu prezantua publikut për herë të parë pas ardhjes së saj në jetë.

Kopertina më e vështirë?

Hmmm... ngurroj pak ta them, por është ajo me Almeda Abazin dhe bashkëshortin e saj, aktorin turk Tolgahan Sayisman. Për Tolgën nuk di çfarë të them, se nuk arrita ta njihja fare, sepse Almeda më vendosi një barrierë, duke zgjedhur komunikimin vetëm përmes imejlit. Intervista është bërë me imejl, edhe pse gjatë një kafeje të shkurtër që ndava me Almedën, këmbëngula që ta bënim “live”. Kam përshtypjen se edhe pyetjeve që nisa për Tolgën, u është përgjigjur vetë Almeda (qesh).

Çfarë ndryshimi ka sjellë “Living” për ty?

“Living” është një mendësi që ushqen pasionin për të bukurën, dëshirën për jetën dhe Living Media e ka manifestuar këtë. E kam ndier që ditën kur vura këmbë në zyrën tonë të bukur “Living”, me dritë e me ngjyra, me lule, ëmbëlsira dhe njerëz plot pasione e talente. Nga ai çast, kuptova se deri në atë fazë të karrierës thjesht kisha punuar. Kur u bëra pjesë e Tring dhe Living Media mësova të jetoja. Falë “Living”, që të zgjon dhe të ushqen me pasione të reja, kam bërë edhe një kapërcim tjetër të madh. Kam nisur studimet master për degën Arkitekturë Peizazhi, pranë Universitetit Bujqësor. Gazetaria duket shumë larg nga kjo fushë, por jam duke projektuar një ide se si në të ardhmen të shkrij gazetarinë dhe arkitekturën e peizazhit.

Personazhi (pjesë e revistës) që do të veçoje në gjithë këto vite

Nuk kam nevojë të rri dhe të mendohem për këtë pyetje, edhe pse personazhet që kam sjellë në revistë janë të panumërta. Njërin prej tyre e ruaj në xhepin tim të vogël, afër zemrës. Ajo është Violeta Mita ose siç e njohin në Tiranë “Leta kapela”, zonja që askush nuk ka arritur ta shohë pa kapelat e saj elegante dhe fisnike.

Nëna Leta, që sot e konsideroj edhe nënën time, më ka zbuluar një univers të mbushur me filozofi pozitive për jetën. Më ka frymëzuar dhe ka ndikuar shumë në mënyrën se si duhet t’i qasesh jetës, edhe kur ajo të jep shuplaka dhe të rrëzon. Edhe të keqen duhet ta përqafosh, ta shtrëngosh dhe me dhimbjen që të shkakton, të rendësh e të vraposh drejt vendeve dhe njerëzve që të sjellin prapë diellin. Prandaj e dua shumë nëna Letën, se ajo me diellin e saj më ka pushtuar ëmbël. Dikur, nëna Leta ka qenë mësuese e gjuhës dhe letërsisë, por unë e vlerësoj si njeriun që ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera studimet në “Akademinë e jetës” (qesh).

Mirela Andoni – Kuzhinë/Mirëqenie

Mirela ose siç të njohin të gjithë Paparja. Në këto vite punë e përvoja, cili ishte çasti që njerëzit të identifikuan me “Living”? 

Nuk mund të them me siguri kur më kanë identifikuar të tjerët me “Living”, por ju them çastin kur unë jam ndier “Living”. Ishte vera e vitit 2013, kur një nga bashkëpunëtorët e asaj kohe në “Living”, Arjola Oçka, duke më njohur nga afër dhe duke parë gjërat që krijoja, më ftoi të isha pjesë e revistës. Pasi doli revista e kuruar aq bukur dhe me profesionalizëm për të sjellë më të mirën e çdo personazhi, kuptova që ky pasion imi tashmë kishte një emër, “të jetosh bukur” dhe nuk iu ndava më, blija çdo numër. Pas disa kohësh, fati deshi që të bëhesha pjesë e stafit, ku puna me kolegët që duan të njëjtën gjë më ka ndihmuar vetëm të rritem dhe kam mësuar shumë gjëra të bukura, të cilat më kanë bërë të jem versioni më i mirë i vetes dhe jetës së bukur. 

Njëkohësisht ke moderuar dhe ke qenë autore e disa programeve me receta të ndryshme. Mund të na thuash se cila nga përvojat e tua ka qenë më e bukura: ajo në revistë apo ajo në ekran? 

Nuk mund t’i ndaj, sepse, në revistë, pas një fotoje ka më shumë “magji” për lexuesin dhe më shumë punë për mua, pasi duhet të përmbledhësh të gjithë punën dhe të krijosh një lidhje me lexuesin. Gjithashtu, fotografia lë vend për më shumë imagjinatë dhe mister dhe duhet të përcjellë shumë emocione që të të rrëmbejë zemrën me një shikim. Ndërsa ekrani është magjia e dritave të studios dhe puna e shumë njerëzve, vendi ku me paraqitjen, sjelljen, njohuritë dhe mënyrën se si flet duhet t’i bësh për vete bashkë me recetën. Gjithashtu, ekrani më ka dhënë mundësi të zbatoj ato që revista “Living” na ka frymëzuar ndër vite: të jemi krijues e të përcjellim vetëm ndjesi pozitive. Mendoj se në ekran ia kam arritur qëllimit, duke sjellë programe unike, si: "Instafood", "Çfarë ka shtëpia?", "Receta në 2 minuta", duke u bërë një figurë e dashur për publikun, të paktën kështu më shkruajnë :)

Edi Gogu - Mirëqenie

Cila ka qenë pjesa më e bukur në gjithë punën me revistën “Living”? 

Puna e mirë në ekip është ajo që e bën çdo bashkëpunim mbresëlënës. Bashkëbisedimi me lexuesit përmes imejlkëmbimit apo shkëmbimit të mesazheve për temat që kam trajtuar mbetet një përjetim i veçantë.

Më mirë moderatore apo gazetare në shkrimet e revistës “Living”? 

Janë dy gjëra të ndryshme, të cilat më kanë bërë të përjetoja ndjesi unike, por moderatore është ajo që kryeson në përgjigjen e kësaj pyetjeje.

Sa “Living” ndihet Edi Gogu? 

Unë kam mësuar ta jetoj çdo ditë në plotësinë e vet, duke i dhënë dhe duke marrë më të mirën e më të bukurën, që nga një buzagaz, te një ditë e trishtë, një kupë çaj bimor pranë dritares kur shpejtësia e mendimeve e tejkalon atë të dritës, një shkëmbim përjetimesh jetësore, kujdesi ndaj mënyrës së të ushqyerit e deri në të jetuarin e çdo dite sikur të jetë e fundit.

Dhurata Thanasi – Kuzhinë

Dhurata Thanasi apo e njohur ndryshe si Luga e Argjendtë, gruaja e fortë që mbron e ruan traditat në kuzhinë. Çfarë gjete në revistën “Living” e çfarë u përpoqe të sjellësh përmes punës tënde?

Sapo isha kthyer për të jetuar në Shqipëri, pas një mungese gati nëntëvjeçare. Isha ulur në një nga baret e Bllokut dhe aty, diku në një kënd, më zunë sytë një grup revistash. Ishin të gjitha shqiptare. Pothuajse të gjitha përmbanin lajme rozë. Më bëri përshtypje kopertina që nuk kishte vajza gjysmë të zhveshura dhe titujt mbi të. Më duket se ka qenë Orinda Huta, që hijeshonte bukurinë e saj me një turban në kokë. Sapo e lexova, ndjeva që pas secilit shkrim kishte përkushtim dhe punë, hulumtim, gazetari dhe një skuadër profesionistësh. 

Kur u pikasa dhe u kontaktova nga “Living” për të dhënë kontributin tim, u mundova të mos sillja vetëm receta gatimi. Qëllimi nuk ishte aty. Nëpërmjet tyre doja të sillja në vëmendjen e njerëzve një stol jete të shëndetshme, në harmoni me natyrën, stinën, respektin për tokën dhe produktet lokale, evokimin e traditës dhe historisë sonë. 

Sipas teje, pse “Living” i mbijeton edhe epokës dixhitale?

“Living” ka treguar dhe tregon që i mbijeton epokës dixhitale, sepse me vërtetësi dhe elegancë prek çështje që horizontalisht dhe vertikalisht kapin gjithë shtresat e shoqërisë shqiptare. Ajo nuk rend pas skandaleve, thashethemnajës, por drejt lajmit, informimit, çasteve të kënaqësisë së jetës, edukimit. “Living” është dhe mbetet frymëzues për të jetuar në harmoni!

Ani Jaupaj - Aktualitet

Pjesë e punës tënde ka qenë zbulimi apo qasja e personazheve të njohura, në një këndvështrim tjetër. Mund të na përmendësh disa prej tyre që kanë shënjuar një histori të vogël në shkrimet e tua?

Të gjitha personazhet, të njohura a të panjohura qofshin, kanë diçka për të treguar; ato vetë të tregojnë këndvështrimin, përmes historisë së tyre. Mund të presësh të dëgjosh shumë dhe nuk ndodh ashtu, e anasjella lë më tepër gjurmë. Një nga këto raste ka qenë intervista me një mikeshë të Maria Callas, Giovana Lumazzi. Nuk ishte mbresëlënëse ajo që tregoi, por vërtetësia me të cilën tha gjëra fare të zakonshme të jetës së saj të jashtëzakonshme. Një personazh tjetër ka qenë një balerinë shqiptare që tregonte për dashurinë e babait të saj me Ganimet Cukën, një personazh i njohur i Tiranës së viteve '60. Të dyja këto histori i bashkon vërtetësia. 

Si gazetare e vjetër, është më bukur të shkruash për revistë apo për ueb? 

Rëndësia e personazheve që përmenda më sipër nuk do të ndryshonte nga rruga përmes së cilës do të ekspozoheshin. Nëse ka një histori, le ta shkruajmë. Uebi krijon histori që nuk është e nevojshme të shkruhen, sepse në perceptim është kalimtar.

Matilda Terpollari – Arredim

-My Living dhe Revista Living çfarë kuptimi kanë për ty? 

Living është ndër projektet më frymëzuese në të cilat kam qenë pjesë. Nuk është vetëm një media për mua, por filozofi jete, të cilën sot jam e lumtur që “e kam marrë me vete”. Ky rrëfim nuk do të ishte i plotë, nëse nuk do të përmendja njeriun që e krijoi dhe  e çoi përpara me një vizion të jashtëzakonshëm. Znj. Ridvana Dulaku krijuesja e markës “Living” dhe administratorja e TRING  është ajo  që më afroi pranë vetes dhe më tregoi që në fillm idenë e saj për krijimin e një stacioni televiziv dhe reviste. Më ftoi të punoja me të duke treguar përkushtim dhe shumë shpejt ishim në një frekuencë. Sot në ditën e bashkimit për këtë foto jemi kaq shumë...Të gjithë jemi thirrur në një moment të karierrës prej saj dhe sot të gjithë kemi me vete një pjesë të Living që ajo krijoi. Ndaj për mua Living është jo vetëm një histori suksesi, por dhe mirënjohjeje.

Një ditë Rida (ashtu donte ajo ta thërrisnim) më propozoi të krijoja një emision, i cili duhej të ishte  një këndvështrim tjetër  nga programet që televizionet kishin në atë kohë.  Ai do të transmetohej  në platformën Tring dhe Vizion Plus ashtu siç dhe ndodhi. Për tu bërë më personal me publikun ne vendosëm ta quajmë :  “ My Living”. Kisha plotësisht liri për ta krijuar siç doja unë. “Matilda ky program  po mban  emrin e markës “Living”, ndaj duhet patjetër të kesh sukses”, më tha ajo. Krijova skenarin  me disa “çmenduri ”, zgjodha  prezantuesit të cilët vendosa të ishin dhe aktorë në program. Rida e mbështeti këtë lojë prezantimi  ku Tirana do të ishte skenografia e programit  dhe çdo ide të timen. Kështu nisëm punën,  e cila vazhdoi disa sezone. Sot kur kthej kokën pas mendoj se “My Living” është nga projektet më të bukura që krijuam.

Mësova ti jepja rëndësi gjërave të vogla të përditshmes, kuptova se në Shqipëri ka mjaft njerëz që kanë stil në mënyrën e tyre të jetesës, të cilët më parë nuk ishin ndriçuar nga prozhektorët televiziv dhe as që shqetësoheshin për këtë. Të gjithë kishin gjetur mënyrat e tyre frymëzuese për të shkuar tek ekuilibri i jetës dhe qartësia e mendjes.

-Sa Living je bërë ti pas kaq shumë vitesh? 

Living më përfshiu,  më zhvendosi vëmendjen drejt hobeve, krijimeve njerëzore, detajeve të vogla, më mprehu fantazinë. E gjithë  marka “Living” ishte një bashkëpunim mes profesionistësh dhe kolegësh. Në revistë kam qenë redaktorja e faqeve të designe dhe kjo do të thoshte njohje me shumë arkitektë, me projektet e tyre të arredimit dhe eksplorim i tregut të mobilimit. Njoha individ të ndryshëm (jo arkitektë) me guxim të madh në arredim dhe me ekzibicione në apartamentet e tyre, të çliruar nga “rregullat” e dizajnit, por që ja kishin dalë me sukses. Ishte befasi për mua të shikoja se si personazhet tanë nga e gjithë Shqipëria shtynin limitet e tyre dhe zbulonin veten nëpërmjet pasionit të  dekorimit.

-Cili ka qenë një episod në intervistat e shumta për revistën që nuk do doje ta kaloje sërish? 

Nuk kam pasur asnjë episod që nuk do doja ta kaloja. Sot vështirësitë më duken të gjitha të bukura. Kam pasur fatin që si autore e programit “My Living” të punoj me një staf të shkëlqyer. Është e çmuar në media të kesh një grup të talentuar dhe që e do programin njësoj. Ndjek parimet e “Living”, kam pasionet e mia të shtyra nga revista dhe programi. Dua më shumë dizajnin. Kam mësuar të gjej kënaqësi në gjërat e vogla.  Kam kuptuar se kënaqësitë e vogla janë gjithashtu kënaqësi të mëdha.

Edi Bujari - Përkujdesi grafik

Revista "Living", që në çastin e parë që e shihje dhe pastaj e shfletoje, të jepte një ndjesi sikur kishe të bëje me një revistë të huaj.

Cilët ishin ata komponentë të dizajnit që e bënë këtë revistë ndryshe nga të tjerat e më avangardë?

Si dizajner reviste, duhej të kuptoja plotësisht qëllimin e punës së gazetarëve dhe audiencën e synuar prej tyre, në mënyrë që të krijoja një paraqitje vizuale sa më të qartë dhe tërheqëse për lexuesit e "Living". Sfida kryesore niste me krijimin "layout"-it për botimin e ri, pasi asaj larmie artikujsh aq të ndryshëm nga njëri-tjetri në madhësi tekstesh dhe përmbajtje, duhej t'i përshtatja vizualisht fytyrën e "Living". Kjo ishte një sfidë e vërtetë, jo vetëm për mua, por për të gjithë stafin e revistës, pasi për çdo faqe, çdo
foto, çdo detaj diskutohej hapur me gazetarin apo redaktorin përkatës për mënyrën se si do ta trajtonim artikullin apo se si të ruanim një paraqitje vizualisht të ekuilibruar midis përmbajtjes së shkruar, grafikave, imazheve dhe reklamave. Edhe sot e kësaj dite stresohem kur kujtoj nisjen e punës me ato botimet voluminoze 250-faqëshe të "Living", stres që në fund kthehej në kënaqësi, kur mbaroja titujt e kopertinës e më pas shfletoja me kënaqësi punën e kuruar me aq zell dhe imtësi nga të gjithë. Punët e mira bëhen hap pas hapi dhe "Living" u ngrit po në këtë mënyrë, faqe për faqe, botim pas botimi dhe besoj se është e dukshme rritja cilësore, si e përmbajtjes, ashtu edhe e imazhit të saj.

Sot, kur bota po ecën me hapin e teknologjisë e letra po zhduket dalëngadalë, ti si e shikon të ardhmen e revistave?

Me “zhdukjen e letrës” mund të privohemi nga kënaqësia e shfletimit, por jo e revistave. Thjesht duhet të përshtatemi me realitetin e ri, ku përmbajtja do të jetë e njëjtë: faqet e recetave, arkitekturës, modës, dizajnit apo kreativitetit do ta vijojnë rrugëtimin e tyre duke kaluar në një dimension tjetër, ndoshta jo të para nga një optikë aq e detajuar, por me siguri do të jenë shumë më interaktive. A do të mund t'i quajmë ende revista? Këtë nuk e di, por edhe nëse i emërtojmë blog, portal apo revistë online, besoj se thelbi do të mbetej i njëjtë.

Etleva Çepele - Redaktore përgjegjëse

Cili nga editorët ta lehtësonte punën në redaktim?

Sot që më ka marrë malli për të gjithë ata me të cilët kemi punuar në afatgjatë, pra, gazetarët e përhershëm të revistës, kam vetëm një fjalë për ta: ju dua! Marrëdhënia me secilin prej jush më ka pasuruar e përmirësuar profesionalisht dhe personalisht. Edhe vështirësitë kanë dobitë e tyre.

Më mirë një libër apo një revistë “Living” për t’u redaktuar?

Janë dy magji më vete. Secila ka bukurinë dhe sfidat e saj të panumërta. Pas vështirësive që pandemia solli në çdo fushë dhe biznes të jetës sonë, e për rrjedhojë edhe shkëputjes së revistës së shtypur, ndiej nostalgji për kohën kur merresha më shumë me redaktimin e revistës (për të cilën asokohe ankohesha pafundësisht se lodhesha, punoja jashtë orarit, shkrimet shpesh vinin në kufijtë e kohës e shumë e shumë të tjera). Kam një ëndërr që uroj të mos më mbetet gjatë në sirtar: rikthimin e revistës “Living” në shtypin e shkruar.

Si mund ta përmbledhësh me tri fjalë përvojën tënde në “Living”?

Art, dashuri, më e mira!

SHKRIMIN E PLOTË E LEXONI DUKE KLIKUAR NË https://living.al/living46.pdf

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor