Living Online 1 Dhjetor 2022

"Ne jemi Living" ideatorët e revistës më të dashur shqiptare në një rrëfim ekskluziv mbi përvojën e tyre 10-vjeçare

Living Online

Me dashuri Santana Çomora / Kryeredaktore

Të jetosh pranë jush për kaq vite, duke u bërë një shoqërues i mirë i çasteve të relaksit, me një gotë verë a një çaj të ngrohtë, për një lexim të mirë e ndryshe nga formatet e mëparshme. Një guidë mode e mënyre të jetuari, mbushur me këshilla e sugjerime. Një revistë, e cila sot nuk është thjesht një biznes mediatik, por një familje e madhe, që rritet dita-ditës, falë lexuesve virtualë e atyre fizikë, besnikëve tanë, që kanë qenë aty në stenda për të marrë çdo botim të ri e për të shfletuar çdo kopertinë të bërë me shumë dashuri e punë: Kopertinë LIVING!

Sot, në një epokë të re, në një kohë kur realiteti dixhital duket se është kthyer në matësin e jetëgjatësisë së garantuar në treg, të gjithë duhet të përshtatemi e në fund të fundit ta shohim këtë kalim si një mundësi të re për të RIFILLUAR. Të freskët, me tema të reja, të sinqertë si çdo herë, por në thelb të njëjtët, me po atë dashuri për shkrimet e mira e me përgjegjësinë mbi supe për një përmbajtje të zgjedhur, ku përpos çdo titulli tërheqës e fotoje të bukur, mbartim përmbajtje e peshë në rreshtat e shkruar me vëmendje e kujdes.

LIVING është i njëjti dhe i tillë do të mbetet, pasi është fryt i një pune të palodhur, ndërtuar nga një staf që punën, fatmirësisht e ka pasion përmbi gjithçka. Do të jemi gjithmonë aty, me të rejat më të fundit, duke dhënë kontributin tonë, sado i vogël apo i madh, në përcjelljen e informacionit te ju, për një jetesë sa më të mirë. Do të jemi thjesht një klik larg, LIVING-Online. Më të shpejtë dhe më pranë jush, duke #LIVING-uar së bashku!

Gjatë këtyre viteve në treg kemi kaluar çaste të bukura e sfiduese. Qindra personazhe të intervistuara kanë hapur dyert e shtëpive e të zemrave për të shfaqur anën e tyre më autentike nëpërmjet LIVING! Gazetarë e bashkëpunëtorë që kanë ardhur e janë larguar, me buzëqeshje e përvoja të paharrueshme, të gdhendura në memorie, për t’u kujtuar me dashuri e nostalgji. Editoriale revolucionare e me standarde nga më të lartat, me fotografët më të mirë të vendit e me tendencat më të fundit botërore. Të gjitha këto, me synimin për të sjellë më të mirën për lexuesit tanë besnikë e për të ftuar çdokënd të bëhet pjesë e familjes sonë të madhe. Ne jemi LIVING dhe ju jeni ata që na shtyni përpara, duke na frymëzuar çdo ditë për të mos reshtur së kërkuari më të mirën.

Gentian Minga – Kryeredaktori i parë i revistës

“Living” mbetet sot e kësaj dite përvoja që ka ndikuar më shumë në jetën time, jo vetëm profesionale, por edhe personale. Në “Living”, për herë të parë m’u besua një sipërmarrje e madhe dhe m’u ofrua pa rezerva mbështetja e duhur për t’ia dalë mbanë. Zhvillova një aspekt që më përkufizon si profesionist e gazetar: artivizmin. Pra, shfrytëzimin e artit për të ngritur debatin publik rreth çështjeve të rëndësishme sociale, si të drejtat e njeriut, jeta e shëndetshme, kafshët, ambienti etj. Duke qenë se drejtoresha e “Living”, Ridvana Mara Dulaku, kishte ide të njëjta me ne si staf për jetën, të bukurën, atë që ka vërtet vlerë, në një kohë kur media kishte filluar të shpërfytyrohej, ne patëm mbështetjen e duhur financiare, por edhe shpirtërore për të realizuar atë në të cilën besonim. I jam mirënjohës për këtë, pasi ky dimension profesional që mori jetë në “Living” ka diktuar më pas edhe jetën time personale. Në revistë njoha dhe pata fatin të punoja me njerëz të talentuar, si fotografi Armand Habazaj. Sado të bukura idetë, sado të mëdha përpjekjet, të vetëm nuk ia dalim dot. Mandi i merrte idetë tona, të miat dhe u jepte më shumë vlerë. Këto më vijnë ndër mend kur më pyesni se çfarë më ka mbetur nga përvoja në “Living”.

Ç’do të thotë “Living” për ty sot?

Unë nuk jam shkëputur ndonjëherë realisht nga “Living”. Thjesht ndryshuan dinamikat e medies në treg e u desh të shkëputesha nga angazhimi me kohë të plotë, por vazhdova të shkruaja për revistën online. Gjithashtu, vite më parë u krijua Botimet Living, ku zhvillova dhe një pasion tjetër të bukur, si përkthimi, me të cilin vazhdoj ende sot. Nuk e përfytyroj dot jetën time pa shkëmbimet me kryeredaktoren Etleva Çepele për librat, një person nga e cila mësoj shumë dhe përmirësoj çdo ditë një element kyç për mua si ekspert komunikimi: gjuhën.

Kopertina më e vështirë për ty në organizim dhe koncept?

Më e vështirë për mua ka qenë pjesa e krafteve, pasi aty bëja thuajse gjithçka vetë. I bëja kraftet, gjeja rekuizitën për fotografimin e tyre, bëja tekstin vetë e kështu me radhë. Kopertinat, duke qenë të rëndësishme, kanë pasur gjithmonë një ekip të madh mbrapa, që nga drejtoreshë Rida, deri tek Etleva, që redaktonte artikullin apo Edi, që e faqoste për shtyp. Me një skuadër kaq të madhe nuk mbaj mend të ketë pasur ndonjë kopertinë të vështirë.

Armand Habazaj - Fotograf

Cili ka qenë personazhi më i vështirë për t’u fotografuar në revistën “Living”?

Kam gjithë ditën që mendohem dhe nuk po kujtoj ndonjë situatë që të jem ndier në vështirësi prej ndonjë personazhi. Më ndihmon dhe fakti që s’kam kujtesë të mirë. Në fakt, vështirësia vjen më pas, kur të duhet ndonjëherë sipas kërkesave, të editosh fotografitë përtej asaj që quhet normale për një imazh të caktuar.

Cila ka qenë kopertina më e bukur për ty?

Këtë herë kujtesa nuk më ndihmon të jap një përgjigje diplomatike. Rendita të gjitha kopertinat e revistave në dyshemenë e studios, për të kujtuar ndjesinë që kam pasur kur i kam fotografuar. Ndjesia për mua shpeshherë është më e rëndësishme se rezultati. Nga të gjitha  kopertinat, duhet të veçoj atë me Orindën dhe Turjanin si dhe kopertinën e Fjodorës me djalin. Për natyrën dhe brendinë e revistës “Living” këto janë situata që i kam më të dashura për t’i asistuar.

Çfarë solli “Living” në karrierën tënde?

“Living” ishte një iniciativë e re në tregun e revistave dhe si e tillë ishte ajo që kishte nevojë për përvojën e stafit. Pa llogaritur dy vitet e fundit që impenjimi im ka qenë minimal, pasi revista është në version dixhital dhe nuk ka të njëjtin volum, “Living” ka qenë revista ku unë kam punuar më gjatë. Si e tillë, patjetër që puna që kam bërë ka ndikuar në një formim të caktuar. Është si puna e memories së muskujve: kur kryen një veprim, shpesh e ke shumë të lehtë më pas. Po përtej punës me personazhet, publike ose jo, ajo që më ka pëlqyer më tepër nga puna në “Living” kanë qenë reportazhet, gatimet, interierët.

Xhani Shqerra – Moderator "My Living"

Pse detajet janë kaq të rëndësishme për ty? 

Sepse janë detajet ato që kanë ndikimin më të madh, ato që tregojnë madhështinë e njerëzve dhe ato që pikturojnë buzëqeshjen më të madhe në fytyrat tona. Gjërat e vogla janë gjithmonë më të rëndësishme, pasi na bëjnë të rritemi dhe po ashtu të bëhemi njerëz më të mirë, çdo ditë.

Living dhe My living, çfarë kuptimi kanë për ty?

Bashkëpunimi me revistën “Living” ishte një kartëvizitë për atë që më priste më vonë. “Layout”-in e çdo faqeje e shihja si diçka të lëvizshme, sepse të jetosh bukur nuk është thjesht një kornizim, por frymëzim, imagjinatë, aktivizim dhe vizion. Kjo u pasqyrua më pas në takimet javore me My Living. Ka qenë shtëpia ime dhe duket që më mësoi se si ta dua televizionin e t’i shërbej si një djalë i mirë familjes së madhe. Sot kam pak nostalgji, njëjtë si ajo shtëpia e fëmijërisë ku je rritur dhe kalon nga ajo rrugë për të parë lagjen apo ato imazhe që të bëjnë të ndihesh mirë, i gjallë!

Si ishte rikthimi me stafin e Living për këtë kopertinë?

Si të ishim ndarë dje... Ndonëse kanë kaluar vite dhe secili prej nesh ka marrë drejtime të reja, të ndryshme, sepse shumë të ndryshëm jemi edhe ne, kuptova se rrënjët janë të rëndësishme... Bashkë kemi krijuar një pasuri që do t’i mbetet Shqipërisë dhe e nesërmja e “Living” do të jetë më e gjallë, e vërtetë, sepse në krye ka qenë një kopshtare, një zonjë që kopshtin e saj e kuron me shumë dashuri, ndonëse lulet janë të ndryshme; ajo di t’i japë dritën e duhur, duke shërbyer si një frymëzim për gjeneratat që do të vijnë! 

Brunilda Lahe  - Aktualitet

Ç'do të thotë “Living” për ty?

“Living” për mua është të udhëhiqesh nga pasioni, dëshira e dashuria për të jetuar. Gjithçka është një cikël ku duhet të lësh disa gjëra të shkojnë, teksa mirëpret të reja. “Living” të vendos ty, veten tënde në qendër të botës; përmbushja personale është çelësi i një jete të qëllimtë e të përmbushur. Është marka që më ndryshoi këndvështrimin për shumëçka në zgjedhjet që bëj, vendimet që marr. Është vendi ku kam njohur njerëz të mrekullueshëm që dikur kolege, sot mikesha për kokë.

Më mirë si e ftuar e revistës “Living” apo si gazetare?

Të jesh e ftuar apo gazetare janë dy gjëra me përgjegjësi të ndryshme, por njësoj entuziazmuese për mua. Në revistën “Living” kam disa nga kujtimet më të çmuara të jetës. Me ekipin e kësaj reviste kam “dhuratë” disa nga shërbimet fotografike më të bukura e të pazakonta. Shumë vite më parë, grupi i “Living” erdhi në Përmet, në shtëpinë e prindërve të mi, për një reportazh për traditat e qytetit. Atëkohë ishte e rrallë që një staf reviste të bënte një rrugë të largët, deri në Përmet, për të realizuar foto e reportazh, por “Living” kishte vendosur standardin e ri në medien e shkruar, me foto përtej kornizës, që tregonin stil jetese të vërtetë. Fotot me mamin, babin, motrën e mbesën janë më të bukurat që kam prej asaj kohe. Santana Çomora më ka bërë të vendos paruke, të bëhem bionde, më ka veshur me një stil aq të ndryshëm nga profili që kam krijuar në publik e më ka bërë të besoj te fuqia e transformimit, qoftë edhe për një shërbim fotosh. Përmes revistës “Living” kam prezantuar të voglën time, Hanën në publik. E kujtoj në detaje gjithçka që ka ndodhur atë ditë. 

Si gazetare e revistës ndiej se jam rritur pas çdo numri prej personazheve që kam njohur. Më kanë pasuruar me botën e tyre të rrallë dhe këndvështrimin pozitiv, për të mos reshtur së kërkuari e gjeturi veten. Si gazetare do të veçoja kopertinën e realizuar në Stamboll me “show-girl”-in Almeda Abazi dhe aktorin turk Tolgahan Sayisman. Fakti që udhëtuam aq larg për këtë kopertinë dhe duke ditur simpatinë e çiftit në publik ndjeva një përgjegjësi të madhe për të shkruar e prezantuar më të mirën. Pa dyshim, personalisht, si personazh, kopertina me Hanën është më e dashura për mua.  

Zhaklin Lekatari - Aktualitet

Ndihesh më shumë gazetare e revistës “Living” apo gazetare e emisionit “My Living”?

Nuk do të doja të zgjidhja, sepse të dyja pozitat më kanë dhënë kënaqësi, sfida, njohje, zhvillim dhe përmirësim personal, po puna me ekipin e “My Living”, ndonëse ka kërkuar angazhimin tim të plotë, mbetet një nga kujtimet e bukura, qoftë dhe për ato çaste debati që janë zhvilluar midis stafit. Emisioni “My Living” ka lënë shije të mirë në jetën time.

Ke arritur të zbulosh ndonjë personazh interesant gjatë përvojës si gazetare në revistë?

Po, shumë personazhe janë bërë të njohura pasi është botuar intervista që kam zhvilluar me to; stilistja Katerina Zoto është një prej tyre, gjinekologu Ardi Prushi një tjetër.

Çfarë ka ndryshuar “Living” te Zhaku?

Besoj se “Living” më ka ndihmuar të jem në kontakt më të afërt me pjesën time më femërore, me pjesën time më të butë dhe më delikate, pa e ndier veten të dobët apo në rrezik. Më ka mësuar të shijoj më shumë të bukurën, ta vlerësoj dhe ta respektoj atë. “Living” është një filozofi e bukur, të cilën mund t’ia përshtatësh jetës, duke e bërë atë më të këndshme, nisur nga çastet e vogla.

Iva Tiço - Mirëqenie

Përvoja ime në “Living” ishte gati dyvjeçare, gjatë të cilëve mund të shkëpus më me dashuri përvojën me kuzhinën. Gjithçka nisi kur fillova të përgatisja përmbledhjen "Living Festat". Aty kuptova se më tepër sesa me gazetarinë që kisha bërë deri atëherë, do të doja të merresha me botimet, ato për jetën e bukur.

Pak më vonë erdhi dhe libri im i parë si përkthyese, "Madame Chic", një libër që dukej sikur ishte bërë enkas për lexueset e revistës, të cilat, sapo u botua libri, u dyndën në panair, për ta marrë me autograf. Kjo qe një përvojë kaq e bukur, sa do të ishte mëkat të mos e përsërisja dhe do të jetë në planet e afërta.

Gjithashtu, ishte kuzhina e Linda Fishtës që më bëri të ndihesha më familjare me gatimet. Atë që kisha pasur pasion, nisa ta shihja pak nga pak edhe si punë, fillimisht për një cikël emisionesh që realizuam bashkë me Lindën ("Sot po kaloj nga ti") dhe më vonë për hapjen e blogut tim.

Ajo që më ndryshoi gjatë përvojës në "Living" qe qasja ndaj së bukurës, detajeve, fotografive. Një shkollë e vërtetë stili, që tashmë e kam pjesë të pandarë jo vetëm në rrjetet e mia sociale, por në të përditshmen time e në çdo gjë që bëj. Gjithçka bëhet më e thjeshtë nëse e jeton bukur, siç është dhe motoja e “Living”.

Xhoia Dumi – Modë

“Living” është bërë pjesë e jetës sime në tri mënyra dhe kohë të ndryshme. Fillimisht kam qenë e ftuar si personazh në revistë, si fituese në “reality show”-n "Shopping Queen", nga gazetari Gentian Minga, i cili më pas më ofroi një punë njëmujore në revistë, për shkak se studioja gazetari. Pas gati tre vjetësh, një intervistë pune më drejtoi sërish te “Living”. Këtë herë, pjesë e portalit dhe revistës “Living”, ku ishte pikërisht Santana Çomora ajo që pa tek unë dëshirën për të punuar si gazetare në fushën e modës dhe jetës së shëndetshme.

Pas një shkëputjeje njëvjeçare, tani edhe e 4-ta e vërteta, ha-ha! Rikthehem si redaktore për një LIVING të ri dhe plot surpriza. Gjithmonë mirënjohëse ndaj personit me të cilin kam ndarë të gjithë këtë rrugëtim, SuperSantës, ashtu siç e thërras unë! :) Shihemi së shpejti!

SHKRIMIN E PLOTË E LEXONI DUKE KLIKUAR NË https://living.al/living46.pdf

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor