48 hijet e mia 16 Nëntor 2022

"Mbi të gjitha bëhu një heroinë e jetës tënde, jo një viktimë"

48 hijet e mia

Nga Doreada Mio

"Ada, në dhjetor do të ngrij vezët". Desh më doli çaji nga hundët kur dëgjova zërin e shoqes time. Në të qindtën e sekondës më kaluan gjithë bisedat që kishim bërë për martesën e fëmijët dhe këmbëngulja ime që ta mendonte mirë se mosha optimale biologjike i kishte kaluar. Ta mendosh, është midis dekadës së dytë dhe të tretë të jetës rreth të 26-ve.

Nëse do ta dëgjonte gjyshja apo qoftë dhe mamaja ime, të artikuluar nga unë, vendimin e shoqes time, do t'i dukej fundi i botës e kishte rrezik t'i binte sheqeri se "Fundi i fundit unë dua të të shoh sa më shpejt, të sistemuar, të rregulluar"-thoshte.

Ndërkohë, “Jo gjithmonë është mungesa e një burri apo partneri që i pengon të martohen e të kenë fëmijë, por vajzat dhe gratë në ditët e sotme, kanë ambicje për karrierë e kanë ëndrra, duan të sistemohen, të rregullohen."-do të referonte  miku im mjek gjinekolog.

Prapë fjala "e rregulluar", por në  këndvështrime të kundërta: e rregulluar  e parregulluar. Por, çdo të thotë "e rregulluar" për gjyshen apo mamanë time dhe çdo të thotë  "e rregulluar" për vajzat e reja në ditët e sotme : 

a) Të zgjedhësh fillimisht të bëhesh nënë dhe pastaj të mendosh për karrierën profesionale.

b) Të mendosh fillimisht për karrieren dhe pastaj të zgjerosh familjen, këto dy mundësi janë qartësuar ditët e sotme në ndryshim me dekada më parë. 

c)Të zgjidhte fati ty dhe gjendeshe me fëmijë (për të cilët të thuhej “hajde se i fitove “) dhe me sfida në punë, sa nuk e kuptoje ku ishe më shumë dhe të merrte rrjedha e jetës. Karriera ishte kryesisht për burrat saqë ende nëpër seanca divorcesh avokatët rreken të bindin se puna në shtëpi duhet të jetë baraz e paguar me një karriere jashtë saj. Më pëlqen shumë që vajzat dhe gratë  sot dinë të zgjedhin, qoftë kjo  a, b apo c, po e rëndësishme është që e zgjedhin vetë pa u quajtur lënesha që ju ka ikur koha, apo shtëpiake që i mban burri.

Dhe në konfidencë nuk më pëlqen fare vetja që vazhdoj habitem në situata të tilla si me shoqen time apo dhe më keq, ashtu si një ditë që mbërrij me vonesë dhe i gjej shoqet e mia me kombësi të ndryshme, që bisedonin për ngjyra sa  mendova se  flisnin për fustane të reja dhe m'u desh një ç’dekodim tre gjuhësh anglisht, shqip, serbisht ta kuptoja që flisnin për vibrator. Ndërkohë unë direkt  për ta çdramatizuar situatën ju shpjegova që në  Tiranën e  viteve '80 vibrator quhej antena që përdorej për të kapur televizori stacionet e huaja. Por, për këtë do të shkruaj një herë tjetëR .

Për ta mbyllur Goca, martesë apo jo, fëmijë (qoftë edhe kur ora biologjike nuk është më aq biologjike) apo jo , karrierrë apo jo, zgjidheni vetë jetën që doni ,” rregullohuni” si të doni , për të mos u penduar më pas, sepse siç thotë edhe një personazh feminist i serialit “The bold Type” ne jemi zot të zgjedhjeve tona, të kënaqësisë sonë, të jetës sonë.

"Mbi të gjitha bëhu një heroinë e jetës tënde, jo një viktimë-Nora Ephron…"

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor