Ëmbëlsira 12 Nëntor 2022

Kek me limon

Ëmbëlsira

Kjo recetë u përgatit nga Gatime Shqiptare

Përbërësit për një tavë me diametër 22 ose 24 cm: 120 g niseshte misri, 120 g miell gruri, 250 g gjalpë i zbutur në temperaturë ambienti, 250 g sheqer, 4 vezë mesatare, fryrës për ëmbëlsira ose sodë buke 16 g, 75 ml lëng limoni, lëkura e dy limonëve dhe sheqer pluhur për spërkatje.

Përgatitja: Si fillim presim gjalpin në kubikë të vegjël, dhe e hedhim në një tas të thellë. Shtoni aty gjysmën e dozës së sheqerit, pak nga pak, ndërkohë që e trazoni. Pasi kokrrizat e sheqerit të jenë shkrirë me gjalpin, dhe ngjyra e masës të jetë një e verdhë e lehtë, do të shtoni të verdhat e vezëve një nga një (ndërsa të bardhat e vezëve lërini mënjanë). Do ta trazoni këtë masë derisa të jetë e njëtrajtshme. Merrni dy limonë mesatarë dhe pasi t’i keni larë me ujë të bollshëm, me ndihmën e një rendeje grijmë lëkurën e tyre. Lëkurën e limonëve e shtojmë tek masa me vezët, gjalpin dhe sheqerin dhe e përziejmë përsëri. Në një tas tjetër trazojmë miellin, niseshtenë dhe sodën e bukës, më pas e shtojmë një lugë gjelle pas tjetrës tek sheqeri, gjalpi dhe vezët. Të kini kujdes në mënyrë që tek brumi të mos krijohen kokrriza të pa tretura të miellit. Në një tas tjetër rrahim të bardhat e vezëve, më pas fillojmë dhe shtojmë pak nga pak sheqerin, duke u kujdesur që të mos lëshojnë ujë.

Në fund shtojmë dhe lëngun e limonit dhe vazhdojmë t’i rrahim derisa të përfitojmë një masë kompakte dhe të lehtë. Hapi tjetër është bashkimi i vezëve të bardha te brumi. Përdorni një lugë gjelle për të përzier brumin, duke e trazuar nga poshtë-lart në formë rrethore. Marrim një tavë me diametër 22-24 cm, e lyejmë me pak gjalpë të shkrirë dhe e spërkatim me pak miell, në mënyrë që brumi të mos ngjitet. Hedhim brumin e përgatitur, dhe e vendosim në furrë të ngrohur më parë në 180 gradë. Për të kuptuar nëse keku është gati, me një thikë apo pirun shpoheni dhe nëse sipërfaqja e thikës del e pastër, brumi është pjekur plotësisht dhe brenda. Më pas lëreni të ftohet dhe shërbejeni.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor