OPINION 1 Shtator 2022

1 shtatori, kur zilja na ftonte në shkollë

OPINION

Nga Anila Kadija

Nis shtatori dhe çdokush, sidomos brezi im, kujton ditën e parë të këtij muaji me po atë entuziazëm që e përjetonim kur ishim në bankat e shkollës. Uniforma, jaka e qëndisur, këpucët apo çanta e re. Ishte një imazh disipline. 

Librat e mbështjellë me letër të bardhë dhe shumë detaje që sot duken ndoshta të ekzagjeruara, por nuk quhen aspak të tilla në kolegjet më të mira angleze. Uniforma, këpucët, çanta ekzistojnë në mënyrën më rigoroze edhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Entuziazmi i vitit shkollor niste fillimisht me Abetaren. Ato shkronjat magjike, aq të larmishme të gjuhës së mrekullueshme shqipe, prej të cilave jo vetëm nisnim të shkruanim dhe të flisnim bukur gjuhën tonë, por edhe të kishim mundësinë më të mirë të shqiptonim bukur gjuhët e huaja.

Kurrë nuk thamë “ tenk you” por “ thank you”..e pra th-ja si edhe shkronjat dyshe stërvitën shqiptimin e saktë dhe përvetësimin e theksit siç duhet jo vetëm në vendin tonë, por edhe nëpër botë.

Ku jemi sot me gjuhën shqipe ndër breza?

Në Shqipëri me maninë e sëmurë të përdorimit me çdo kusht të fjalëve të huaja po shkatërrohet e folura korrekte. Sot e quajnë “elokuencë” (fjalë edhe kjo në italisht, eloquenza, në shqip larmi gjuhësore) po ngatërron ose po fshin edhe fjalët që ekzistojnë në shqip. Nuk tregon cilësi dhe nivel të lartë një gjuhë e përdorur me plot huazime në kushtet e gjuhës sonë e cila ka një fjalor të mirëfilltë e të pasur. Nga arsimtarët vjen shembulli i parë pastaj nga mediet, programet, bashkëbisedimet shoqërore. 

Një kontigjent i madh mësuesish punojnë me dëshirën më të madhe për ta mbrojtur dhe përhapur brez pas brezi, por nuk mjafton. Gjuha mbrohet së pari nga shteti përkatës.

Ndoshta jemi një armatë idealiste! Ndoshta nuk kemi aq fuqi sa t’i shtojmë nxënësit dhe shkollat në raport me vlerën dhe nevojën që ka gjuha edhe përtej kufirit. 

Pa dyshim edhe këtë vit, pavarësisht nga dita e nisjes së mësimit, ne do të jemi si çdo vit pranë nxënësve duke vazhduar misionin sublim ndaj gjuhës shqipe kudo nëpër botë. Dtojmë çdo prind që të trokasë pa drojë në portën e një shkolle shqipe, ajo do t’i hapet si krahët e një shqiponje me dashuri mësuesi.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor