Nga editorët Living 4 Tetor 2021

Njihuni me të fshehtat e astrologjisë; Esmeralda Petrela i përgjigjet të gjithë kurioziteteve mbi shenjat e horoskopit

Nga editorët Living

Nga: Zhaklin Lekatari 

Secili nga ne të paktën një herë në jetë ka lexuar apo dëgjuar horoskopin e shenjës që i përket: Në internet, gazeta, radio apo televizion. Ka lloje të ndryshme horoskopi, serioz, filozofik, gazmor dhe praktik, dhe secili prej tyre bazohet në 12 shenjat e horoskopit të vendosura që prej lindjes. Sido që të jetë “besimi” ynë për horoskopin, sa prej nesh janë të informuar për mekanizmat e tij ? Çfarë do të thotë t’i përkasësh një shenje apo një tjetre dhe cilat janë mekanizmat fillestarë që kanë krijuar karakteristikat e përgjithshme ? Si përgatitet një astrolog ? Si mund të themi me bindje të plotë që horoskopi, apo yjet dhe planetet ndikojnë në jetën tonë ? Duke mos pasur përgjigjen e asnjërës prej këtyre pyetjeve, vendosa të intervistoj astrologen Esmeralda Petrela, që ju ka shoqëruar në emisionin e mëngjesit në Vizion Plus.

Si ka nisur pasioni yt për yjet?

Një pasdite mami u kthye në shtëpi me një material që i kishte ardhur në e-mail në punë. Ishte një material me karakteristikat e shenjave. Isha 13 vjeç. Lexova atë dhe pastaj fillova të kërkoj vetë informacion, libra, pyesja pothuajse këdo çfarë shenje je kur i takoja. Shumë kohë para se të bëhej mainstream...

Çfarë është astrologjia dhe mbi çka bazohet?

Astrologjia është studim i energjive dhe i cikleve të lëvizjeve të planetëve të cilat besohet se ndikojnë në jetën tonë të përditshme. Është një mundësi për të mësuar mbi veten duke lexuar një material ku ti mund ta gjesh veten shumë mirë edhe pse materiali që të shpjegon ty në atë formë është shkruar shekuj para lindjes tënde. Parashikimet e astrologjisë tregojnë llojin e situatave dhe përvojave që mund të ndodhin në jetën e dikujt.

Nuk duhet ngatërruar me fenomenin e aftësive psikike siç është aftësia për të perceptuar gjëra ose ngjarje në të ardhmen nga njerëzit që, të paktën pretendojnë, se e kanë këtë aftësi. Astrologjia është sistem njohurish që mund të mësohen, gjë që nuk është rasti i aftësive psikike. Njerëzit që zotërojnë aftësi psikike kanë një dhuratë. Astrologjia dhe aftësitë psikike nuk janë e njëjta gjë. Astrologjia është grup njohurish dhe rregullash të cilat japin rezultate të besueshme me kushtin që astrologu të mos dalë nga ato rregulla.

Disiplinat e tjera si taroti për shembull, bazohen gjithashtu në njohuri por deri diku, pastaj është intuitiv. Ndërsa bazat e astrologjisë janë matematikore dhe rezultatet i janë parë me mjete statistikore prej shumë kohësh. Kjo është pikërisht ajo që bën dallimin midis astrologjisë dhe të gjitha disiplinave të ndryshme që merren me njohjen e vetes dhe me rritjen personale. Është një statistikë e madhe. Duhet korrigjuar ky gabim në perceptimin e njerëzve pasi praktika e astrologjisë nuk ka të bëjë me asnjë lloj okultizmi.

A përballesh me shumë skepticizëm në punën tënde?

Mbi astrologjinë; unë marr porosi nga njerëz që thonë se janë kurioz por nuk besojnë ose nga njerëz që thonë se besojnë. Mendoj se askush prej tyre, dhe unë të isha, s’kanë besim derisa gjejnë veten në materialin që lexojnë. Madje sa më i saktë, konkret materiali, aq më e madhe habia. Habia nuk sjell domosdoshmërish besim dhe në fakt s’kam problem me këtë. Për shkak se nuk është se duket me sy ndikimi i planeteve mbi ne, madje shumica prej nesh edhe planetet vetëm në foto dhe video i kemi parë, është deri diku e vështirë të lexosh se në fakt për shembull, je martuar vetëm pas kësaj moshe të caktuar dhe pas këtij x momenti të jetës tënde. Asnjëherë nuk bëhet plotësisht e rehatshme të lexosh astrologjinë personale sepse shumica e njerëzve nuk janë rehat me atë lloj abstraksioni të burimit të këtij informacioni në mendjen e tyre. Megjithatë derisa është bërë kaq popullore, tregon se shumë njerëz kanë tolerancë të madhe për abstrakten. Nuk jam njeriu që motivon për të parë shumë larg prej logjikës por personalisht, përulësisht, mendoj se logjika pa tolerancë ndaj imagjinatës apo abstraktes, nuk është mjaftueshëm.

Çfarë lidhje ka leximi i letrave dhe astrologjia?

Unë lexoj letra Tarot. Taroti është intuitiv siç e shpreha më lart. Kam studiuar se si t’i lexoj por në fund të ditës unë të njëjtën letër e kam lexuar në ndoshta 100 mënyra të ndryshme për 100 njerëz të ndryshëm të cilët më kanë thënë se situata e tyre është vërtetë ashtu. Unë nuk bëj pyetje kur filloj të lexoj Tarotin, s’e di as ditëlindjen, nuk shoh ndonjë material që shpjegon statistikën e çfarë mund t’i ndodhë dikujt që ka këtë tabelë astrologjie. Taroti më mahnit më shumë sepse nëse astrologjisë nuk i bëj dot të paktën 90% sens, Tarotit as 50%. Por përshkruaj për punë minutash

situatën e dikujt që vetëm emrin i di dhe është eksperiencë shumë e bukur. Shtoj dhe këshilla nga këndvështrimi im personal sepse dua të jap një kontribut me këdo.

Kush janë njerëzit që të drejtohen? Ka ndonjë grup moshe specifike?

Zakonisht janë vajza brenda të njëzetave. Djemtë dhe burrat janë më të rrallë por për ta mund të them që janë më të interesuar për Tarot.

Kur afrohen njerëzit e bëjnë sepse janë kurioz apo e bëjnë sepse kanë njohuri dhe nevojë për një fluks energjie të mirë?

Të dyja. Kjo e dyta vlen për njerëzit që porosisin nga unë sepse e dinë që unë jam e shqetësuar mbi motivimin e njerëzve. Ndaj dhe pjesë nga vështirësitë e mia me veten dhe me gjërat në faqen time. Sot nuk jam vulnerabël apo e hapur siç kam qenë por jam në një formë tjetër, domosdo. Unë mundohem të nxis, tek vetja dhe tek të gjithë, mendjen prezente; të shqetësohemi më pak për një abstraksion si e ardhmja apo për të gjitha që nuk po ndodh më si e shkuara. E bëj edhe duke e përfshirë astrologjinë.

Ka ndonjë lidhje midis okultes dhe astrologjisë?

Praktika e astrologjisë nuk është okulte. Burimi i astrologjisë ndoshta është. Them ndoshta sepse nga gjithë materialet e ndryshme që kam lexuar që adoleshente, kam rënë në përfundimin që Nuk e di kush është burimi i vërtetë ultimatum i dijeve të astrologjisë. Ka teori të ndryshme nga cepa të ndryshëm të botës, interesante, disa më të vështira për tu logjikuar se të tjerat por për mua janë vetëm mundësi.

Cila është lidhja midis astrologjisë dhe fesë?

Feja kërkon një nivel besimi më të madh se astrologjia. Çdo njeri mund të besojë tek njëra por jo tek tjetra, mund të besojë tek të dyja gjithashtu. Mund të lexojë se lexohet feja por jo astrologjia, mund të lexojë se feja nuk ka problem me astrologjinë. Ka materiale të ndryshme mbi këtë. Por nëpërmjet astrologjisë mund të shohësh që dikush do bëhet për shembull njeri që punon për kishën, njeri dijetar i fesë islame, njeri që beson shumë në një fe të caktuar ose njeri që nuk beson në asnjë fe. Këto mund t’ia thuash dikujt që nuk beson në astrologji dhe përshkrimi apo parashikimi mund të jetë i saktë për të por ashtu siç parashikohet, ai nuk beson. :)

Cila është diferenca midis astrologjisë dhe horoskopit?

Horoskopi është i përgjithshëm; 12 shenja; 12 parashikime. Astrologjia është individuale; 7.6 miliard njerëz; 7.6 miliard parashikime.

A ka një lidhje midis psikologjisë dhe astrologjisë?

Psikologjia ka derivuar nga astrologjia. Astrologjia përshkruan karaktere, arsye, bën lidhje mes një karakteristike e një tjetre; nëse ke këtë cilësi, s’mund të të interesojë kjo çështje apo kjo lloj sjelljeje. Megjithatë kemi analiza dhe përfundime të ndryshme nga psikologjia. Kemi psikologë si Carl Jung që kanë dhënë një kontribut të madh në astrologji. Psikologjia Jungiane dhe psikosinteza janë shumë në harmoni me parimet e astrologjisë. Ndërsa midis psikologjisë Frojdiane dhe psikologjisë së sjelljes së 12 shenjave në astrologji, kemi mosmarrëveshje. Si përfundim, varet se cilin psikolog ndjek.

Si është jeta e një astrologu?

Varet nga astrologu. Kam njohur presidentë të një institucioni ndërkombëtar astrologjie të cilët udhëtojmë shumë për të punuar, nga një shtet në një tjetër. Kjo është zgjedhje personale sepse domosdoshmëria për të qënë fizikisht prezentë pranë klientit është shuar më kohë prej teknologjisë që përdorim. Unë marr porosi për të përgatitur materialin e Hartës Astrologjike apo shërbime të tjera që ofroj edhe pa postuar gjë në profilin e faqes sime profesionale sepse shumica e njerëzve tani e dinë për çfarë bëhet fjalë e me çfarë mund t’i shërbej. Nuk jam astrologu që hedh shumë mbi veten, mbi jetën time personale. S’dua që njerëzit të mendojnë për mua kur postoj për astrologjinë apo kur ndaj një mesazh. Nuk zgjohem në mëngjes dhe pyes veten “Ku është hëna sot apo ku janë planetet sot”. Nëse do bëj një postim mbi këtë, e shoh tabelën me planetet e ditës, ka burime online plot, të disponueshme për të gjithë. Mundohem të meditoj dhe të punoj për një mendje prezente.

Si punon një astrolog, a mund të ma shpjegosh?

Kërkoj të di datëlindjen, orën e përafërt të lindjes dhe vendlindjen e personit që do një Hartë Astrologjike. Shikoj 1, 2, 3 tabela të ndryshme astrologjike; janë tabela të astrologjisë perëndimore dhe lindore. Kam zgjedhur një metodë timen. Ky zanat është pak art, bën zgjedhjet e tua brenda dhjetëra mundësive që di që mund të kem. Ndërtoj një material me shtyllat kryesore të Hartës së caktuar që shoh. Shikoj çfarë materiali kam për këto të dhëna astrologjike. E organizoj materialin duke i qëndruar korrekte çdo pike. Dikush e beson s’e beson astrologjinë, unë i qëndroj korrekte një më një. Lexuesi merr porosinë dhe unë prej të lexoj një mesazh të bukur, pres të më thotë që je e saktë, të paktën 80%. Kjo është një gjë e vazhdueshme.

Çfarë studimesh ka pas përpunimit të horoskopit?

Duhet të dish kuptimin e planeteve, kuptimin e shenjave, kuptimin e shtëpive astrologjike, kuptimin e bashkimeve apo marrëdhënieve të ndryshme mes planeteve. Të dish se çdo gjë është e lidhur në një tabelë, se asgjë nuk mund të përshkruhet si ishull i ndarë prej të tjerave se përndryshe s’është astrologji.

A ndikojnë vërtet yjet në ditën tonë?

Mendoj se po. Gjithashtu mendoj se s’dua ta mendoj këtë gjë, nuk dua ta kem në mendje këtë mendim, dhe në fakt s’e kam.

Kush i ka vendosur shenjat e horoskopit?

Ka teori për këtë Zhaklinë. Shumica thonë Babilonasit, lindorët thonë që dikush gjatë meditimit u ngjit në qiell dhe iu shpjegua çdo planet me çdo gjë mbi astrologjinë, por shkencërisht mesa dimë si publik, përgjigja nuk është zbuluar ende. Dikush më ka pyetur po si të merrem me këtë kur nuk i di burimin dhe i thashë “ç’i do gjurmët kur ke ujkun?”

A ka ndikuar pandemia që shqiptarët të bëhen më të varur nga horoskopi?

Varësia nuk është gjë e mirë ndaj asgjëje. Gjithashtu i mirë nuk është stresi. A ka mënyra më të mira për ta përballuar stresin? Po. Megjithatë jo të gjithë vendosin ta përballojnë njësoj. Unë gjatë periudhës së pandemisë nuk e kam promovuar shërbimin tim sepse nuk ndjeja se ishte gjëja e duhur për t’u bërë; doja të ndaja informacion motivues, diçka që të shërbejë si terapi psikologjike. Megjithatë në periudha stresi, shqiptarë e të huaj bëhen më të interesuar për të lexuar diçka që do qetësojë frikën për të ardhmen kështu që, interesi është rritur.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor