Nga editorët Living 18 Korrik 2021

Engji Jaha, Frida Kahlo e Prishtinës, piktorja që nëpërmjet autoportretit di të luajë me kohën 

Nga editorët Living

Nga: Santana Çomora

Dualiteti i karakterit nuk është një dukuri që e ndeshim vetëm në shoqëri, por edhe në art, bile në këtë të fundit këto dy anë të medaljes marrin një dimension më të gjerë e më të thellë. Engji Jaha është piktorja kosovare që karakteristikë të saj ka autoportretet. Është vetëm 23 vjeç, por talenti e ka bërë të bjerë në sy për një art kontemporan, aktual, plot ngjyra e jetë, duke sjellë si engjëllin, ashtu edhe djallin në pikturat e saj e duke ditur të luajë mjaft bukur me efektin kohë.

Ajo ka mbaruar studimet Bacelor dhe Master për pikturë në "Fakultetin e Arteve" në "Universitetin e Prishtinës". Pasioni për pikturën ka lindur bashkë me të, pasi fatmirësisht ka pasur fatin që të rritet në një familje artistësh. 

 “Tek ne arti vazhdon të konsiderohet ashtu siç është, i pazëvendësueshëm. Gjyshja ime, Luljeta Goranci, si një piktore dinjitoze, gjatë fëmijërisë sonë është përkujdesur mjaftueshëm që të na ushqejë me art. Shtëpitë e gjysheve janë të njohura për ngrohtësinë e jashtëzakonshme, por shtëpia e saj është një galeri e vërtetë’’- shprehet ajo kur kujton fëmijërinë e saj.

Ato që e frymëzojnë Engjin janë pikërisht dashuria dhe e bukura. E nëse do i jepej edhe një jetë tjetër me sy mbyllur, prapë do zgjidhte atë artistike, sepse është e vetmja që e mbush shpirtërisht.

Në një intervistë për ''Living'', Engji na njeh me botën e saj të pasur, me pasionin që e bën të ndihet gjallë si dhe me projektet e radhës.

Sa kohë të merr një pikturë?

Varet, ka shumë faktorë që ndikojnë në energjinë e krijimit. Ndonjëherë orët duken sekonda apo sekondat një jetë e tërë. Jo çdo herë adrenalina rezulton në vepër artistike. Mbase edhe nuk kanë gabuar kur kanë thënë se “Lëndoje një artist dhe shijoji kryeveprat që i ke krijuar”.

Zakonisht në pikturat e tua shihen autoportrete. Pse ke zgjedhur këtë stil dhe çfarë do të japësh përmes tyre?

Autoportreti përfaqëson të gjithë artistin. Veprat e mia, dua që të jenë një biografi e jetës sime. Unë pikturoj realitetin tim dhe atë e paraqes para publikut. E prezantoj veten ashtu siç unë dua të më shohin të tjerët. Aty përshkruhen ndjenjat : dashuria, emocionet e dhimbja, ato që më çuan në punën e thellë artistike. Në këto autoportrete ka detaje të fshehura, ku i kam ftuar të tjerët të eksplorojnë misterin.

Sa ekspozita ke hapur deri tani?

Kryesisht kam marr pjesë në ekspozita të ndryshme kolektive, të cilat kanë qenë të organizuara në Zvicër. Por “Selfie Mundi” shënon ekspozitën time të parë personale në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, në Prishtinë. 

“Selfie Mundi” ishte një sallon i vogël me autoportrete, me ndërlidhje komplekse narrative me veten. Të gjitha fotografitë i kam realizuar vetë, i kam sajuar deri në atë mënyrë që të paraqiten si selfie historike. Temat janë bashkëkohore, aty trajtohen sprovat e rebelizmit si kërkime të “pjekurisë” në jetë edhe në art, që natyrisht janë të pashmangshme.

Cila periudhë e artit të pëlqen më shumë?

Impresionizmi. Më ka lënë gjithmonë përshtypje thjeshtësia dhe mjeshtëria e veprave të artistëve impresionist. Mundohem të marr pak nga mendimet e tyre.

Cilat janë ato ngjyra që ty të mbushin shpirtin dhe pse?

Besoj shumë në atë se ndjenja i jep nuancë më të fortë ngjyrës. Ngjyra cilësohet si një fuqi. E verdha është e preferuara ime, ma ndez shpirtin e i jep jetë të gjithë ambientit. Edhe nëse nuk ka asgjë për të parë, të shtyn të imagjinosh diçka.

Ç’do të thotë efekti kohë në pikturat e tua ?

Efekti kohë në pikturat e mia do të thotë thjeshtësi. Të arrish me pak, të prezantosh shumë.

Keni një ngjashmëri me Frida Kahlo-n. Besoj se ju a kanë vënë në dukje dhe të tjerë. A ju pëlqen kjo artiste dhe a frymëzoheni prej saj?

Kurrë nuk e kam besuar që Frida, e cila në fëmijërinë time më është dukur aq qesharake, një ditë do të bëhej muza ime. E kam kuptuar ngjashmërinë, kur më kanë krahasuar disa herë dhe me thënë të drejtën, ende vazhdoj të ndjej emocion kur ma thonë. Më është dashur kohë ta analizoj, ta studioj e shumë më vonë ta kuptoj artin e saj. Disa gjëra shkojnë me moshën, thonë. Tani më pëlqen shumë. Pika kulmore e frymëzimit nga ajo, ka qenë kur vizitova ekspozitën e organizuar për të në Budapest, ku pata mundësinë t’i shoh e t’i ndjej 30 kryeveprat e saj nga afër. Aty e kam kuptuar se çfarë do të thotë epiteti artist dhe rebel.

Të pëlqejnë më shumë peizazhet apo portretet dhe pse?

Nuk jam adhuruese e peizazhit. Ndoshta kam gabuar në fillim, që ia kam shtresuar vetes idenë në kokë, se nuk mund ta pikturoj peizazhin më të bukur se ç’është. Prandaj, veten e kam gjetur më shumë në portrete. Portreti nuk është vetëm një fytyrë. Artisti i mirë e bën personazhin të përjetshëm.

Çdo artist, e zhyt brushën e tij në shpirtin e tij, e pastaj fillon të pikturojë. “Kur të ta njoh shpirtin, do të t’i pikturoj sytë”, thotë Amadeo Modigliani.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor