Femijet 21 Qershor 2021

Të qenët prind i vetëm: Si t’ia dalësh?

Femijet

Nëse po e rrisni e vetme fëmijën, me shumë gjasa do të përballeni me të njëjtat sfida si çdo prind i ri, qoftë i martuar ose jo. Në fakt, shumë nga pjesët që trajtohen në këtë kapitull, janë të vlefshme si për prindërit beqarë, ashtu edhe për të martuarit. Por rritja e një fëmije nga një prind i vetëm, është sfidë më vete dhe kjo, për faktin se të gjitha përgjegjësitë fizike, mendore, emocionale dhe financiare, rëndojnë mbi një person të vetëm, pra, mbi ju. Shpesh literatura është e paqartë kur bëhet fjalë për të rritur e vetme një fëmijë. Kjo ka të bëjë me rrethanat në të cilat shpesh, por jo gjithmonë, gjendet një prind që vendos ta rrisë vetëm fëmijën, si për shembull: varfëria, divorci, shtatzënia e paplanifikuar. Shumë fëmijë, si të vegjël ashtu edhe të mëdhenj, mund të dëshmojnë për dashurinë e madhe që u është dhënë nga njëri prind, i cili ka qenë i pamartuar apo i divorcuar. Nëse rrethanat janë të vështira dhe një prind arrin të krijojë një mjedis familjar të ngrohtë, kjo tregon aftësinë e jashtëzakonshme të prindit për të kapërcyer pengesat e shumta me të cilat mund të përballet. Në mënyrë që të shmangni disa nga sfidat e të qenit prind i vetëm, ndiqni sugjerimet e mëposhtme:

» Pranoni sa më shumë ndihmë. Mbështetja për rolin tuaj si prind, është shumë e rëndësishme teksa përballeni me avantazhet dhe disavantazhet e prindërimit. Kjo nënkupton të pranoni dhe të kërkoni ndihmë nga gjyshërit, hallat, tezet, xhaxhallarët, dajat e foshnjës, miqtë, një komunitet fetar, shpirtëror, apo edhe nga prindër të tjerë që janë në të njëjtën situatë.

» Kërkoni një çerdhe të mirë për foshnjën. Shumica e prindërve të pamartuar apo të divorcuar, janë gjithashtu në punë, ndaj gjetja e një çerdheje që nxit zhvillimin dhe mirëqenien e foshnjës, por edhe që përshtatet me orarin tuaj, është shumë e rëndësishme. Merrni rekomandime nga familjarët, miqtë dhe prindërit dhe përpara se të merrni një vendim, vizitojeni çerdhen dhe flisni me personin që do të kujdeset për fëmijën.

» Ofrojini fëmijës modele të mira për t’u ndjekur. Teksa fëmija rritet, është mirë që ai/ajo të ketë modele nga të dyja gjinitë. Përfshini në jetën tuaj aktivitete me të rritur, te të cilët keni besim dhe i admironi. Edhe ju jeni një model i mirë për fëmijën teksa ai/ajo ju sheh që jeni të suksesshëm, si në shtëpi ashtu edhe në punë.

» Gjeni kohë për fëmijën. Shpesh prindërit që i rrisin vetëm fëmijët, janë shumë të ngarkuar me punë dhe koha që kalojnë me ta, nuk është e mjaftueshme. Pavarësisht kësaj, përpiquni të qëndroni me fëmijën sa herë të keni mundësi: këndoni së bashku gjatë rrugës për në çerdhe, kaloni së bashku mëngjesin e së shtunës apo bëni një shëtitje të gjatë në park.

» Gjeni kohë për veten. Edhe prindërit që i rrisin vetëm fëmijët, kanë nevojë për pushim, mbase edhe më shumë se ata që janë çift. Planifikoni të hani një darkë dhe të shikoni një film, pasi fëmija të ketë fjetur. Gjeni një palestër, e cila ofron kujdes për fëmijën gjatë kohës që ju ushtroheni. Merrni nga miqtë apo të afërmit, numrin e telefonit të ndonjë kujdestareje të mirë apo pranoni ofertën e nënës suaj për t’u kujdesur për fëmijën, teksa darkoni me një shok/shoqe apo teksa shihni një film vetëm.

» Bëhuni pjesë e një komuniteti. Të ndihesh e lidhur me botën përreth, është shumë e rëndësishme për këdo, por veçanërisht për një prind të pamartuar apo të divorcuar. Njihuni me fqinjët, bëhuni pjesë e një kishe, një komuniteti fetar apo e një grupi me prindër të divorcuar ose të pamartuar. Duke qenë pjesë e një komuniteti, mund të keni shumë përfitime në kohë vështirësish.

Marre nga libri 'Udherrefyes per nje shtatzeni te shendetshme'

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor