News / 19 Qershor 2021, 16:52

Shkëlqimi i Anita Likmetës, gazetares dhe sipermarrëses shqiptare që po korr sukses në Itali në fushën digjitale

Shkëlqimi i Anita Likmetës, gazetares dhe sipermarrëses shqiptare

Ky shkrim u përgatit nga Santana Çomora

Rrugëtimi profesional i Anita Likmetës i ngjan një trajektoreje të larmishme. E diplomuar fillimisht në Akademinë e Artit Dramatik "Corrado Pani", vajza nga Durrësi do të sprovonte veten në një tjetër fushë, duke studiuar Histori dhe Filozofi në Universitetin e Romës "La Sapienza", për të përmbyllur ciklin e studimeve në Francë, ku mbrojti tezën "Ese Historike mbi marrëdhëniet Shqipëri-Itali përgjatë viteve 1922-1943".

Gjatë dy viteve të kaluara në Francë, Anita realizoi gjithashtu një dokumentar me kolosin e letrave shqip, Ismail Kadare. Momentalisht ajo punon si gazetare për "Huffington Post Italia", si dhe ka një eksperiencë të gjatë në kompani të vogla e të mesme italiane, në fushën e sipërmarrjes digjitale.

Pas rikthimit në Itali, Anita filloi të shkruante për gazeta të ndryshme, pa ditur që në vitin 2015, karriera e saj do të merrte një tjetër kthesë duke "u zhytur" në fushën e teknologjisë. "Zbulova një terren të pashkelur më parë dhe u përpoqa të shfrytëzoj gjithë potencialin tim në maksimum."-thotë ajo.

Shkëlqimi i Anita Likmetës, gazetares dhe sipermarrëses shqiptare

Më dukesh një figurë multitasking : A është e vërtetë?

Më pëlqen të eksperimentoj në fusha të ndryshme. Duke qenë natyrë hibride, ishte e vështirë që të tjerët të kuptonin çfarë po tentoja të bëja dhe m'u desh të përpiqesha shumë në fillim. Me kalimin e kohës korra edhe rezultatet e para, si dhe duartrokitjet e të tjerëve.

Përveçse një vajzë e zgjuar a mendon se bukuria të ka ndihmuar të ngjisësh majat e karrierës apo e kundërta?

Bukuria, ashtu si inteligjenca, është aset. Nuk besoj dikush do të guxonte të pyeste një njeri në karrierë, sa e ka ndihmuar inteligjenca që të jetë aty ku është, pasi përgjigjja dihet tashmë. Por, nuk ngurrojmë aspak t'ia bëjmë këtë pyetje një vajze ose gruaje të këndshme, pasi ekziston akoma stigma patriarkale se bukuria është elementi i vetëm i vlerës që i jepet një gruaje.

Shkëlqimi i Anita Likmetës, gazetares dhe sipermarrëses shqiptare

Bota është plot me gra të bukura dhe inteligjente, të cilave duhet t'u jemi mirënjohëse sepse falë tyre mund të votojmë,  të ndërmarrim nisma të ndryshme dhe të zgjedhim vetëm jetën dhe profesionin që duam të bëjmë. A nuk është kjo ndoshta inteligjenca e vërtetë?

E thënë më ndryshe, nëse dikush është i gjatë, i shkurtër apo i shëmtuar, nuk mendon se është automatikisht budalla. Të jesh e bukur është një karakteristikë si shumë të tjera. Besoj se ky lloj nocioni i paramenduar për gratë është shumë i pranishëm në vendet latine duke pasur parasysh se në Evropën e Veriut ka shumë gra në krye të kompanive ose qeverive të cilat, përveçse janë të përgatitura, janë edhe të bukura. Në rastin tim, paragjykimet lidheshin me faktin se isha shqiptare dhe jo sepse isha e bukur.

Je rritur dhe shkolluar në Itali. Pas shumë viteve mund të themi se je një italiane e vërtetë. Sa italiane dhe sa shqiptare ndihesh?

Jam edhe shqiptare, edhe italiane, por mbi të gjitha ndihem evropiane.

Si të shohin italianët kur marrin vesh që je shqiptare? Vazhdon të jetë ajo masë paragjykimi për ne?

Kur isha e vogël e përjetoja shumë keq këtë gjë. Në ato vite, në Itali, kriminaliteti shqiptar ishte tema e ditës. Kjo gjë më kushtëzonte në raport me të tjerët, shpeshherë më dukej sikur duhej t'i kërkoja falje kujtdo thjesht sepse isha shqiptare.

Nuk ishte faji im, por ndihesha njëlloj sikur e kisha bërë unë. Sot, raportet e italianëve me shqiptarët kanë ndryshuar. Shqiptarët janë integruar mjaft mirë dhe besoj se kam dhënë dhe unë kontributin tim në ndryshimin e këtij opinioni.

Shkëlqimi i Anita Likmetës, gazetares dhe sipermarrëses shqiptare

Para se të nisje karrierën je marrë dhe me modeling. Të tërhiqte apo e shfrytëzove si trampolinë në atë periudhë?

Siç e thashë edhe më lart , bukuria është një vlerë e shtuar. Të bëja modelen dhe të pozoja për një markë ishte një mënyrë e thjeshtë për të bërë lekë, në mënyrë që të paguaja më pas shkollën. Për të qenë e sinqertë, kurrë nuk e kam mbajtur veten për të bukur. Kisha shumë komplekse shoqërore, kulturore dhe gjëja e vetme që më interesonte ishte të studioja dhe te njihja njerëz të rinj.

Shkëlqimi i Anita Likmetës, gazetares dhe sipermarrëses shqiptare

Ndërkohë ke shkruar edhe për shumë gazeta e revista të njohura, dhe ke marrë pjesë në programe të ndryshme italiane. Si kanë qenë këto përvoja për ty?

Ato ishin mundësi që unë të tregoja veten, por mbi të gjitha të ofroja një imazh të ri të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Aktualisht me çfarë po merresh? Cilat janë projektet e radhës dhe a e mendon ndonjëherë veten të kthehesh në Shqipëri?

Për momentin, jam duke u kujdesur për startup-et ku marr pjesë në Itali dhe po ndihmoj projektin "Connect Albania" për Kombet e Bashkuara. A mendoj të kthehem në Shqipëri? Kush e di, pse jo!

Horoskop