Personazh 28 Prill 2021

Dastid Miluka, piktori që e gjeti diellin e tij pasi njohu artistët e mëdhenj

Personazh

Ani Jaupaj

Vitet e fundit, piktori Dastid Miluka vjen në Shqipëri vetëm për pushime. Të paktën kështu mendojnë të tjerët, sepse ai vetë vjen sepse karikohet me gjithë energjinë që i duhet për pikturat e radhës. Dhe mjafton të shihni disa nga pikturat e Dastidit për të kuptuar që energjia duhet patjetër, ndryshe ngjyrat e tij nuk mund të ishin aq shpërthyese. Mbase artisti, i cilitdo zhanri, nuk e ka aq të thjeshtë të tregojë veten, por Dastidi e ka bërë që nga nisja, kur kërkoi me ngulm të studionte në Liceun Artistik, e deri sot që e ka njohur ‘diellin’ e tij.

Dastid, si mbërrite te piktura?

Rrugëtim i gjatë të them të drejtën. Pasioni për pikturën ka nisur që herët, por ajo çka do përcaktonte fokusimin tim total tek artet figurative ka qenë në kohën kur m’u dha e drejta të vazhdoja studimet në Liceun Artistik të Tiranës. Më pas kam ndjekur Akademinë e Arteve të Bukura (sot Universiteti i Arteve) dhe që atëherë, dashuria për këtë zhanër të artit nuk më ka lëshuar. Kanë qenë vite të tëra zbulimi dhe njohje i këtij arti të mrekullueshëm, i cili sa më shumë t’i dedikohesh aq më shumë të jep në shkëmbim. Është pasion dhe si i tillë më jep mundësi shprehëse dhe komunikuese, por dhe përjetime tepër të veçanta, të cilat nuk mendoj se do të mund t’i gjeja në një tjetër profesion. Besoj se çdokush nga ne ka një mision të veçantë dhe e gjitha çfarë mund të bëjmë është t’i përkushtohemi tërësisht atij.

Cilët janë emrat ndërkombëtarë që kanë ndikuar në formimin tuaj?

Të shumtë janë emrat e mëdhenj, të cilët ia kanë dedikuar jetën pasionit të tyre për artin. Artistë me emra të mëdhenj vijnë nga hapësira dhe epoka të ndryshme dhe me historinë dhe artin e tyre janë kthyer në burim frymëzimi jo vetëm për artistët, por për të gjithë njerëzimin. Nuk ka sesi të mos kesh admiruar gjenialitetin e Da Vinçit dhe madhështinë biblike te Mikelanxhelos. Zambakët e ujit të Mones dhe thjeshtësinë magjike të Matis. Qiejt e zhurmshëm, fushat e arta të Van Gog dhe novatorizmin shkatërrues të Pikasos. Fluturimet e Chagal, puthjen e Klimt dhe ëndrrat e Dalisë. Janë të shumtë artistët, emrat e të cilëve tashmë janë shndërruar në dritë hyjnore dhe që vazhdojnë të na ndriçojnë qiejt tanë shpirtërorë.

A mund të shkaktohen emocione të reja në pikturë, pas gjithë emrave që përmendët?

Piktura, ashtu si dhe letërsia apo muzika, janë zhanre të cilat komunikojnë ndjesi dhe si të tilla do të jenë gjithmonë prezente, duke ardhur në mënyra të tjera për të dhënë ndjesi dhe mesazhe të reja. Ndaj përgjigjja ime është padyshim që po. Gjithmonë do ketë mundësi për të sjellë risi në çdo profil artistik. Nëse piktura është mjeti, ky mjet do të jetë aty për të komunikuar emocionalisht në nivele dhe shtresëzime të veçanta të subkoshiencës, por edhe realitetit njerëzor dhe besoj se si e tillë, piktura apo në tërësi arti i imazhit, do të bëhet edhe me i rëndësishëm dhe do të zërë një vend edhe më thelbësor në të ardhmen.

Ç’raport ka krijimi juaj me Shqipërinë tani që nuk jeton më këtu?

Shqipëria në mënyrë absolute ka një ndikim thelbësor tek unë, si personalisht po ashtu edhe në krijimtarinë time, pasi këto shkojnë të dyja paralelisht dhe pandashmërisht nga njëra-tjetra. Aty janë fillesat e mia, por dhe e gjithë baza apo formimi im artistik ka një shpirt tërësisht të mbrujtur në Shqipëri. E gjithë periudha e fëmijërisë dhe më pas ajo studentore, dihet që përbëjnë pjesën më të rëndësishme të njeriut dhe këto patjetër që mbeten aty prezente gjatë gjithë jetës. Mendoj se shpesh ndodh që sa më larg të jetosh nga vendlindja, aq më e fortë bëhet lidhja me të. Patjetër jam i mendimit që për një artist është e rëndësishme lëvizja dhe zbulimi i hapësirave dhe kulturave të reja, por kjo absolutisht që nuk e zbeh, por vetëm sa e forcon lidhjen që krijohet ndërmjet meje dhe vendit ku kam lindur. Me duket se Shqipërinë e kam gjithmonë me vete kudo që jam. Është aty gjithçka, njerëzit, natyra, aroma, të cilat sa herë që kthehem në vendlindje më rivijnë në mend dhe më bëhen përherë e më të freskëta dhe ngacmuese të shqisave dhe ndjesive të mia. Është burim frymëzimi, të cilin në mënyrë të natyrshme e gjen të materializuar edhe në krijimtarinë time.

Sa kohë i duhet një piktori t’i japë formë identifikuese telajos së tij? 

Për aq kohë sa do t’i duhet të njohë pjesën e tij më unikale, pjesë që do të kthehet pikërisht në formën e tij identifikuese. Sigurisht që mjeti shprehës i çdo artisti është i lidhur direkt nga mënyra se si ai e sheh, e merr dhe e transformon realitetin. Transmetimi në mënyrë individuale dhe shndërrimi në forma identifikuese ka një shtrirje tepër të ndryshme në kohë, ndaj dhe nuk mund të ketë një periudhë kohore të përcaktuar. Zbulimi dhe përdorimi i mjeteve të tilla sigurisht që ndryshon nga një karakter artistik te tjetri, prandaj dhe kjo kohë merr një përcaktim të relativizuar dhe tepër individual.

Përfytyroj që ka një periudhë kërkimi për çdo artist përpara se të gjejë dritën e tij. Si ka qenë kjo kohë për ty përpara se të mbërrinit te fantazia?

E vërtet që ka një rrugëtim të tërë në të gjithë procesin e zbulimit të vetvetes, pasi në fund të fundit ky është një vetëzbulim. I gjithë procesi merr një kohë të konsiderueshme dhe shpesh shtrihet në një jetë të tërë. Pra, personalisht mendoj se për një artist, e gjithë periudha e kërkimit dhe zbulimit është gjithmonë prezente dhe vazhdon të jetë e tillë gjatë gjithë jetës së tij. Mund të zbulohen elemente të saj, por gjetja në vetvete e kësaj “drite”, siç e definoni edhe ju, nuk ka fund. Besoj se ky është dhe një element esencial dhe që përbën në vetvete dhe magjinë e artit.

Nëse vet arti do të simbolizohej me “Diellin”, mund të them që ne zbulojmë grimca apo elemente “drite”, të cilat na tregojnë udhën drejt këtij “Dielli” simbolik. Le të themi që ka një periudhe fillestare, e cila mua më ka shërbyer për njohjen dhe zbulimin e rrugëtimit të artistëve të mëdhenj. Gjithmonë mësohet shumë prej shkëlqimit të “dritës” së tyre. Është një udhërrëfyes, i cili na çon drejt njohjes së “Diejve” të tyre artistikë. Sidoqoftë, ajo që merr rëndësi kapitale dhe ajo se për çfarë shërben e gjithë kjo parapërgatitje, është ndezja dhe përkujdesja për të mbajtur të gjallë atë “dritën” tonë personale. Ndërkohe që fantazia është kthyer tashmë për mua në një bashkëshoqëruese të pandarë dhe kompletësisht esenciale, në të gjithë rrugëtimin tim drejt këtij “Dielli”.

Cilat kanë qenë rrymat e tjera të pikturës që keni provuar?

Unë vij nga një shkollë shqiptare, e cila në ato vite ka pasur kërkesë kryesore njohjen dhe paraqitjen artistike në mënyra sa më realiste, qoftë kjo në gjinitë e peizazhit, kur flitej për natyrën, apo modelit kur flitej për paraqitjen e figurës njerëzore. Pra, fillesat dhe bazat e mia kanë qenë realiste.

Pas viteve 90, njohja me artin botëror, deri atëherë të ndaluar në Shqipëri, patjetër që ishte një zbulim shumë i madh për ne të artit figurativ. Sot, e gjitha kjo mund të duket si diçka e çuditshme, por në fakt në atë periudhë ka qenë një dritë e ndaluar, ndaj dhe zbulimi i saj, ndonëse i vonë, te ne që vinim nga një sistem izolimi total, pati një impakt të veçante dhe përgjithësisht mrekullues. Më pas kam vijuar të jem tepër i interesuar në drejtim të zbulimit të mjeteve të reja shprehëse për sa i përket pikturës dhe vizatimit, si dhe teknikave, të cilat i shoqëronin këto. Ky interesim dhe eksperimentim më ka çuar në zbulimin e rrymës së ekspresionizmit abstrakt. Prej këtu kam mësuar më së miri përdorimin e teknikave të ndryshme pikturale, si lëvizja më e lirshme dhe thjeshtësia e formës apo edhe raportet dhe loja e ngjyrave të forta dhe të ndezura

Të gjitha këto lëvrime kanë qenë pjesë tepër e rëndësishme për të gjithë formimin tim artistik, si dhe mendoj që kanë krijuar një bagazh fort të rëndësishëm në pasurimin e gjuhës shprehëse. Prej vitesh tashme eksploroj në një stil, i cili lundron ndërmjet figuratives dhe mjeteve te ekspresionit, të cilat shkojnë gjithmonë në shërbim të një koncepti artistik më narrativ.

A keni vënë re ndonjëherë se cilat janë dhe si janë momentet që të mbushin për të nisur një pikturë, a është spontane apo duhen mendime paraprake?

Janë të dyja anët dhe mendoj se funksionon pikërisht nga të dyja këto drejtime. Ajo që është variabël mbetet masa se sa vend zë njëra apo tjetra. Ndoshta të dyja janë pjesë përbërëse e dy fazave të ndryshme. Pra, mendime apo ide që vijnë nga burime të jashtme mund të jetë pikënisja. Spontaniteti është po aq i rëndësishëm dhe ky mund të vijë në fazën e dytë, pra gjatë procesit të krijimit. Mund të ndodhë dhe e anasjella, por çfarë ka rëndësi është të qenit i hapur gjatë të dy proceseve. Arti gjithmonë e ka të nevojshëm një dozë spontaniteti, pasi ky apo një masë e tij, është çfarë i jep atij magjinë e rrëfimit. Mendoj se ideja dhe spontaniteti janë fusha, të cilat lëvrijnë ndërmjet intelektuales dhe shpirtërores, pra ndërmjet mendjes dhe shpirtit dhe vallëzimi i të dyjave bën të mundur krijime sublime.

A mbaron ndonjëherë tërësisht një pikturë?

Nëse do ta kuptoja dhe do ta interpretoja pyetjen tuaj në sensin teknik te saj, do të thosha fare thjesht që një punim nuk mbaron asnjëherë. Gjithmonë do të ketë detaje apo raporte, të cilat mund t’i ndryshosh dhe zëvendësosh me të tjera. Ka një pafundësi zgjedhjesh dhe si e tillë ka dhe një pafundësi zhvillimi dhe përfundimi. Ajo që përftohet në fund është vetëm një variant i idesë primare. Patjetër që mund të ketë të tjera mënyra për ta zhvilluar një tematikë. Në këtë sens, ka shume piktorë, të cilët kanë provuar të pikturojnë të njëjtën temë në disa vështrime të ndryshme dhe kanë dalë në përfundime të ndryshme. Nëse do të flisja për anën artistike, do të shtoja që një pikturë apo krijim mbaron pikërisht në momentin kur artisti e vendos që ta quajë një vepër të përfunduar. Ky moment nuk është aspak i thjeshtë. Përkundrazi. Një artist i mirë duket në mënyrën se si e përfundon një punim dhe jo se si e fillon atë. Unë e shoh gjithnjë një pikturë si një pararendëse të një krijimi tjetër dhe të tërë krijimtarinë të ndërtuar në cikle të tilla, të cilat vazhdojnë. Pra, në idenë time, një krijim do të sjellë një tjetër dhe kështu të tjera në vazhdim. Në këtë sens, mendoj se të gjitha punimet i bashkëngjiten një tabloje të madhe, e cila zhvillohet në hapësirë dhe vazhdon të marrë formë përgjatë të gjithë këtij rrugëtimi në kohë.

Mjafton të shohësh disa punë tuajat për të kuptuar që gruaja zë një vend të posaçëm. Na tregoni pak për këtë…

E si mund të ndodhte ndryshe??? Në përgjithësi, figura femërore gjendet shpesh në qendër të krijimit të shumë artistëve dhe kjo në idenë time nuk ndodh vetëm për shkak të hireve apo formave të saj. Ka një moment tepër esencial në të gjithë bukurinë, por dhe misticitetin që figura femërore mbart në vetvete. Midis të tjerave, ajo sjell një simbolikë tepër të fuqishme siç është simbolika e krijimit të jetës. Nëse do t’i referohem thjesht profilit artistik, nuk mendoj se në botën e artit mund të gjendet një simbolikë më e fuqishme se kjo. Dhe jo vetëm kaq. Ka diçka jashtëtokësore apo më mirë të them hyjnore këtu dhe unë nuk kam se si ta humb dhe të mos jem i mrekulluar nga një magji e tillë.

 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor