Personazh 12 Prill 2021

Albana, qëndistarja e Beratit nisi të punojë për të hequr mërzinë, sot është e vetmja që ka dyqan

Personazh

Nga ANI JAUPAJ

Edhe pse puna e dorës ngelet një nga tiparet e traditës së grave të Beratit, nëpër rrugicat e vjetra të qytetit nuk të zë syri shpesh shtëpi që të ekspozojnë atë çfarë fshihet brenda mureve historik. Prandaj, Qëndistari Berati të tërheq vëmendjen menjëherë. Një dyqan i vogël në lagjen Mangalem, ndërtuar sipas strukturës të shtëpive të vjetra,  është i gjithi i veshur me punët e Albanës. “Është dyqani i vetëm me punë dore, e kam nisur diku tjetër, katër vite më parë, tani jam transferuar këtu”.

Shumica e grave punojnë në shtëpi dhe gjejnë mënyrat për t’u lidhur me klientët përmes mikeshave të tyre që bëjnë të njëjtën gjë, ose internetit. Edhe Albana kështu funksiononte më parë, ndërsa tani kanë mundësi edhe turistët të blejnë punët e duarve të saj, apo, thjesht të shohin se çfarë kanë trashëguar ato gra që të gjithëve u dukeshin shtëpiake, ndërsa kalonin brez më brez atë çfarë kishin mësuar nga gjyshet e tyre.

“Mamaja dhe gjyshja më kishin mësuar që fëmijë të punoja në tezgjah dhe grep, mirëpo me ardhjen e demokracisë, njerëzit sikur u distancuan pak nga traditat me të cilat gratë kishin mbajtur shtëpitë. Unë u martova e vogël, 19 vjeç, dhe atë kohë nuk kisha gjë tjetër ç’të bëja veçse t’iu kthehesha punëve të dorës. Në shtëpi kisha një makinë qepëse me të cilën mund të punoja, por nuk dija ta përdorja. Kërkova ndihmë, e mësova dhe pas provave të para arrita të futem në ‘rrjetin’ e grave të Beratit që kanë punuar gjithnjë”-tregon Albana Balla.

Ideja e dyqanit nuk lindi që në fillim sepse edhe të ardhurat ishin të pakta, por me kalimin e viteve, u bë thuajse i domosdoshëm. “Për shkak të bashkëpunimit të vazhdueshëm me gratë e tjera në qytet që merrnin porosi e shkëmbenim punët, erdhi koha që të kisha një ambient të posaçëm sepse vinin të gjitha në shtëpi.  Kështu hapa në fillim një dyqan të vogël e më pas këtë që kam këtu”- të gjithë turistët që kalojnë nga Mangalemi, kthehen nga Albana. Nuk është e thënë të blejnë gjithnjë, ama tërhiqen nga puna e imët që iu merr këtyre grave të gjithë durimin e orët e ditës, shpesh edhe të natës. Aty gjejnë një copë të historisë së qytetit, atë që nuk ekspozohet në vend tjetër.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor