Personazh 30 Mars 2021

12 gratë e famshme që u bënë model i Sarandës duke udhëtuar e notuar gjithë vitin

Personazh

Përgatiti Ani Jaupaj

Praktikat e grave, kudo në Shqipëri, për të udhëtuar, qofshin të lidhura nga puna apo nga rastësia, është rritur. Udhëtimi, si i vetmi distancim nga rëndesat e përditshmërisë, i ka bashkuar të njohur e të panjohur drejt nevojës për t’u arratisur. Mirëpo, 12 gratë sarandjote që do t’ju prezantojmë, nuk bëhen bashkë vetëm kur është fjala për t’u larguar nga qyteti ku jetojnë. Çdo mëngjes, njëra prej tyre, e pagëzuar tashmë si ‘zilja e grupit’, i zgjon në telefon dhe i fton për shëtitjen e radhës. Nëse është dimër, do të ecin ose vrapojnë, sipas mundësive fizike.

Sapo hyn muaji maj, i gjithë grupi shkon drejt detit për të notuar jo më pak se 1 km. Prej 17 vitesh, kjo është praktika e përditshme e grupit  “The best grupi simpatik”. Dikush është anëtare më e vjetër, dikush më e re, e rëndësishme është që, në heshtje, të gjitha i njohin dhe zbatojnë rregullat e përbashkëta, prandaj nuk grinden asnjëherë apo nuk kanë vështirësi për të gjetur destinacionin e radhës.

“Nëse njëra prej nesh propozon një destinacion për të shkuar apo një aktivitet, një festë në shtëpi apo në lokal, asnjëherë fjala nuk diskutohet dy herë. Cilido qoftë propozimi i njërës prej nesh, një shëtitje apo një gatim, të gjitha do të thonë po”- thotë Eleni, njëra prej tyre. Ndoshta fakti që e kanë nisur këtë aventurë me udhëtimin e parë në Kishën e Laçit, i ka prirë për mbarë mikeshat sarandjote. Shëtitjet më pas janë shtuar çdo vit.

“Përveçse po kënaqemi për veten tonë,  na vjen mirë që jemi kthyer edhe në frymëzim për gratë e tjera të Sarandës. Tashmë na njohin të gjithë dhe nëse nuk na shohin një ditë që të mos dalim në mëngjes, pyesin se çfarë ka ndodhur. Megjithatë, karakteristika kryesore e grupit është që pavarësisht moshës, mendimeve apo përkatësive të ndryshme fetare o politike, ne kemi harmoninë e gjërave që na bashkojnë”-tregon Fei, një tjetër nga zonjat e grupit.

Përtej argëtimit, është e rëndësishme prania e njëra tjetrës në çdo moment të jetës dhe këtu nuk mund të lëmë jashtë rrethanat jo të gëzuara apo fatkeqësitë me të cilat mund të jetë përballur secila. “Është e rëndësishme të jemi me njëra tjetrën edhe në raste fatkeqësish sepse në gëzime është e thjesht të rrish me njerëzit”- tregon një tjetër anëtare e grupit.

Të 12 janë gjithnjë bashkë, çdo ditë, deri në udhëtimin e radhës jashtë Sarande.

Anëtaret e grupit “The best grupi simpatik”.

1.   Doloreza Ibrahimi Çabiri 

2.   Bedrie Marjani Ibrahimi 

3.   Mariola Konomi Deneko

 4.  Tatjana Birjani 

5.   Rozana Parisi  

6.   Parashqevi Dapaj Mejdi 

7.   Eleni Vasili Guda

 8.   Besnike Abedini

 9.   Ertiola Hamzallari 

10.  Fei Babameto  

11.   Dhurata Saqe 

12.   Miranda Birjani

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor