News / 30 Mars 2021, 11:59

Aurela "From Canada with Fashion"

Aurela "From Canada with Fashion"

Nga: Santana Çomora

Belluxe Photografy by Samineh

Nëse ka histori të vërteta frymëzimi, ky është rasti i Aurela Lacajt, vajzës vlonjate që në moshën 18-vjeçare u arratis nga Shqipëria me skaf, për një jetë më të mirë përtej detit. Pasi qëndroi plot pesë vite në një kamp gjerman, ajo nisi jetën në Vankuver të Kanadasë. Pas 25 vitesh e shumë sakrificave, sot ajo është Aurela sharmante, me një stil mjaft të rafinuar, e dhënë kokë e këmbë pas modës.

Aurela "From Canada with Fashion"

Nuk është se e njoh personalisht, por, një ditë, ndërkohë që lundroja për të zbuluar ndonjë gjë të re nga bota e Instagramit, më ra në sy një profil: aurelafashionista. Një vajzë imcake, koketë, me një stil të sofistikuar, veshjet e së cilës varionin në tonalitet e ngjyrave pastel, si: e bardha, bezha dhe grija. Duke qenë se e preferoj shumë këtë stil, kërkova më shumë për të. Çudia ishte që ajo ishte shqiptare! Jetonte në Kanada e kishte një stil të sajin, tejet të kuruar. Madje nuk ishte vajzë, por një 43-vjeçare, nëna e një djali, që sapo kishte përfunduar studimet e larta. Vendosa t’i shkruaja dhe kështu lindi komunikimi mes nesh. Aurela ishte e hapur, dhe ndonëse kishte shumë kohë pa ardhur në Shqipëri, pranoi të bënim një intervistë online. Fotot i realizoi me fotografin e saj në Vankuver, duke na sjellë një set plot dritë e stil.

Aurela "From Canada with Fashion"

Përtej asaj që shihja nëpër fotografi, nuk e dija që Aurela ishte vajza që vinte nga një fshat i Vlorës, Kotë; që i kishte hipur skafit që në vitin 1993, si shumë shqiptarë të tjerë në atë kohë, për një jetë më të mirë; që e kishte lindur djalin në kampin gjerman ku kishte qëndruar për rreth 5 vjet; që pas kalvarit të Gjermanisë kishte nisur odiseja e Kanadasë dhe qëndrimi përgjithmonë në atë shtet.  

Aurela "From Canada with Fashion"

Kur ishte fëmijë, ajo bënte një jetë të thjeshtë, por gjithmonë e dhënë pas modës. Të motrat i vishte me rrobat që sajonte duke “i detyruar” të bënin paradë në shtëpi. “Ishte pak a shumë një lojë jona, sepse në atë kohë nuk kishim lodra, bënim kukulla me rroba të vjetra, duke modifikuar veshjet e gjyshes apo të mamit. Moda për mua ishte një pasion që nuk e dinte asnjë, përveç familjes. Madje babai shpesh kishte probleme, sepse njerëzit merreshin me thashetheme kur vishesha dhe nuk donte që të më përgojonin.”

Nga pesë fëmijët, duke qenë më e madhja, Aurela ishte shpirti rebel, në kërkim të eksperimentimit të gjërave. Ishte kundër sistemit të asaj kohe, sepse gjithçka i dukej pa ngjyra, e trishtë dhe e zymtë.

Aurela "From Canada with Fashion"

Ishte vetëm 18 vjeçe, në vitin e fundit të gjimnazit, kur e martuan me një emigrant në Gjermani dhe po atë vit u largua me skaf drejt Italisë, për t'u bashkuar më pas në Gjermani me të fejuarin. Me të mbërritur aty, u regjistrua në një kamp, sepse ishte pa dokumente të rregullta. Jeta në komunitet ishte shumë e vështirë, duke marrë parasysh faktin që as gjuhën nuk e njihte, por, qëllimi i saj i vetëm ishte të ndihmonte familjen në Shqipëri. Filloi të bënte punë të ndryshme, në mënyrë që të mblidhte të ardhura, që nga larja e pjatave e deri te pastrimi i tualeteve. Pas pesë vitesh si emigrantë në Europë, të dy arrijnë të shkojnë në Kanada për të qëndruar përgjithmonë e për të nisur një jetë krejt ndryshe atje. Aurela i dha fund martesës dhe vendosi të ishte një mama single (beqare). Edhe pse e dinte që do të ishte e vështirë, ishte e sigurt. E kishte kaluar provën me veten, i duhej vetëm kohë të realizonte ëndrrat e saj. E nisi si kameriere, për të arritur që pas 11 vitesh të bënte një punë zyre, në një shoqëri që merrej me tregun e inxhinierëve. Aktualisht, ajo është stiliste dhe blogere e suksesshme. Paralelisht me punën, nisi dhe shkollën. Ndërkohë që rritej bashkë me të birin, erdhi dhe koha e largimit të tij nga e ëma.

Aurela "From Canada with Fashion"

Moda dhe e veshura me stil kishin qenë gjithmonë dëshirat e saj në sirtar. Hapja e bolgut në vitin 2015 erdhi menjëherë pas fillimit të shkollës së lartë të të birit.

Aurela "From Canada with Fashion"

“Blogun e hapa para tri vitesh, në kohën kur djali nisi universitetin. Kur ai u largua, doja diçka që të hiqja vetminë dhe kështu nisi dhe ideja e hapjes së një ditari mode. Më kanë mbështetur të gjithë, që nga djali, që ishte i pari që këmbënguli, e deri tek i fejuari im, që filloi të më bënte fotot e para. Blogu është një impuls që më shërben të realizoj ëndrrën time për të punuar në sektorin e modës e më pas për ta shndërruar atë në një biznes të mirëfilltë”.

Horoskop