Personazh / 25 Mars 2021, 14:07

Ravajol Hasani, djali nga Memaliaj që përbuzën dikur, gatuan për Rihanna-n dhe Justin Trudeau

Ravajol Hasani, djali nga Memaliaj që përbuzën dikur, gatuan

Nga Ani Jaupaj

Është e çuditshme se si njeriu, edhe në rrethana nga më të vështirat,  synon të rritet pikërisht aty ku po e përbuzin, ku po e shtypin! Ravajol Hasani, djali nga Memaliaj, që kur nisi punën e parë si pastrues, në një nga kuzhinat e Greqisë, megjithëse pakkush ia hidhte sytë dhe e konsideronin si një nga emigrantët e shumtë të 20 viteve më parë, në kokën e tij bluante vetëm mendimet se si mund të rritej e zhvillohej pikërisht aty, në kuzhinë! Mbase se aty ishte shkruar fati i tij, o mbase pikërisht për shkak të këmbënguljes e zotësisë që u rrit me kalimin e kohës, Hasani ia doli!

Ravajol Hasani, djali nga Memaliaj që përbuzën dikur, gatuan

E nisi rrugën në kuzhinë si qindra shefa të tjerë! Sot, është njëri prej të rrallëve që ka gatuar për Rihannën dhe Justin Trudeau, në Kanada! Pas tmerrit të viteve të para, shëtitjet e tij nëpër botë, për të fituar përvojë nga emra të mëdhenj të kuzhinës, ishin të shumta. Ravajoli prej kohësh tashmë është në Qipro, si një nga emrat më të rëndësishëm të vendit turistik.

Ravajol Hasani, djali nga Memaliaj që përbuzën dikur, gatuan

“E provova emigracionin thuajse 20 vite më parë. Isha djalë i vogël atëherë dhe punoja pafund, për 1 euro orën. Vetëm ata që e kanë provuar mund ta kuptojnë këtë mënyrë jetese që nuk është e vështirë vetëm për shkak të varfërisë, por edhe për shkak të mënyrës se si të shihte e trajtonte ambienti përreth teje. Megjithatë, mendoj që po të jesh i vendosur, do t’ia dalësh. Puna ime e parë në kuzhinë ishte si pastrues, por e kuptova menjëherë që do të punoja gjithnjë aty, vetëm se, si shef. Kjo erdhi vite më vonë, kur kisha arritur të kursej ca para për të investuar në zhvillimin tim profesional, në studime e përvoja që mund t’i arrish, në këtë fushë, vetëm duke udhëtuar e provuar punë në restorante të ndryshme, me shefa të mëdhenj”. 

Ravajol Hasani, djali nga Memaliaj që përbuzën dikur, gatuan

Dhe bashkëpunimet me shefat e mëdhenj nuk i munguan Ravajol Hasanit. Ka punuar me Jamie Oliver kur ky i fundit donte të hapte një restorant në Qipro, dhe me Spiro Dossis, që u bë njeriu që i tregoi rrugën drejt suksesit. “Në vitin 2016 jam shpërblyer! U vlerësova si shefi më i mirë duke marrë çmimet “Kapelja e artë” dhe “Luga e argjendtë”. Më pas, restorantet me çmime në të cilat punova ishin të shumtë. Kam gatuar për mjaft njerëz të njohur të të gjitha fushave, aktorë, politikanë apo njerëz të muzikës e modës. Do të veçoj Rihanna-n dhe Justin Trudeau”.

Megjithatë, për shefin e suksesshëm nuk ka rëndësi pesha e emrit të njeriut që ulet në tryezën e restorantit të tij. Ai nuk i trajton të tjerët siç e trajtuan atë dikur. “Nuk bëj dallim nëse klienti është i pasur ose i varfër, i bardhë apo i zi, politikan ose një kamerier. Të gjithë në restorantet e mia, nga pastruesja te menaxheri, ushqehen njësoj!”

Horoskop