Personazh 19 Mars 2021

Koleksionet e rralla të Kristaqit në shtëpinë Monument Kulture të Përmetit që po mbushet me turistë

Personazh

Ani Jaupaj
Kristaq Cullufe, deri tre vite më parë, jetonte në Përmet, por mendjen e zemrën e kishte gjithë kohës nga shtëpia e tij e rrallë në fshatin Buhal, vetëm 5 kilometra larg qytetit. Kulla 120 vjeçare që është shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë, humbiste çdo ditë shpirt, sado që famlijarisht, Kristaqi bashkë me të shoqen e me të birin, kujdeseshin t’i jepnin frymë gjatë fundjavave duke bërë rregullime të vogla, a qoftë edhe vetëm duke hapur dyert, sa për t’i kthyer ajrin e dritën që po i merrnin vitet.


Mirëpo, bashkë me historinë, bashkë me vendndodhjen mes kodrave të gjelbëruara, me pamje nga Vjosa, kulla po jeton sërish. Interesi i turistëve që është shpërndarë tashmë në çdo qoshe të Shqipërisë, mbërriti edhe në Buhal të Përmetit. Të zotët e shtëpisë bënë së pari restaurimin e çatisë dhe ato pak ndërhyrje të vogla për ta bërë tërësisht të banueshme, por nuk ndërhynë në asnjë detaj të strukturës së kullës me pesë hyrje. Sot, ajo është ndër më të vizituarat e vendit!


Kristaqi nuk po jeton më në Përmet, është zhvendosur aty bashkë me të shoqen dhe të dy presin e përcjellin turistë nga e gjithë bota. E shoqja gatuan pjatat tradicionale që Përmeti nuk i ka të pakëta dhe kujdeset për gjithë mirëmbajtjen, ndërsa Kristaqi iu kushtohet edhe pasioneve të tjera.
Koleksionet e tij të rralla jo vetëm plotësojnë kullën, por shtojnë edhe kureshtjen e turistëve.


“Të gjithë llojet e gurëve që ndodhen  në Vjosë janë edhe në shtëpinë time. Kam shumë interes të njihem me origjinën e tyre por nuk e kam realizuar dot siç duhet.Të gjithëve u pëlqen ideja e gurëve, por edhe më shumë koleksioni  i objekteve historike. Që nga '90, kur të gjithë gjenin e rrëmbenin nga Shqipëria ç'të mundeshin, më vinte shumë keq që po iknin gjërat nga vendi dhe thash pse të mos e bëj edhe unë këtë punë dhe kështu nisa të mbledh objekte të ndryshme. Shumë të tjera m’i kanë dhuruar miqtë e shokët që në vazhdim u njohën me pasionin tim. Sot,  janë rreth 4000 objekte që pasurohen vazhdimisht sepse të kthehet në një mani. Unë kam kënaqësi të jashtëzakonshme kur gjej apo më dhurojnë diçka. Shumë sende që të tjerët i konsiderojnë të tepërta dhe i  flakin, unë i marrë në shtëpi.”


Shtëpia e Kristaqit është ndoshta ndër të vetmet ku, nëse shkon, nuk mund të thuash se s'ke gjë për të bërë pas shëtitjeve në natyrë, sepse ka histori të tëra për të zbuluar në të gjitha objektet e tij, por që ta zbuloni duhet të shkoni. Ai vetë nuk lodhet së shpjeguari sepse tani ka zgjedhur të bëjë atë që duhet të bënte prej kohësh, të mirëpres turistë në kullën e tij historike.
I biri, Elvisi, na tregon se e gjitha nisi si një mënyrë për të fituar ca të ardhura që do të shërbenin për të mirëmbajtur shtëpinë, por tashmë vizitat në @traditional_guesthouse_permet nuk kanë të sosur! Shko trokit 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor