Santa Style 16 Mars 2021

Të jesh 'in' s’do të thotë të shpenzosh shumë, por t’i kapësh trendet që në fillim; Santa na tregon ato 4 më kryesoret të këtij sezoni

Santa Style

Santana Çomora

Këtë pranverë jemi me fat për sa i përket trendeve të modës. Që nga atletet e deri tek veshjet ylber, secila nga ne gjen veten në stilin e saj: sport, casual, comfy-chic apo ‘office look’. Santana Çomora, editorja e modës në revistën ‘Living’ dhe autorja e rubrikës Santa’s Style na tregon cilat janë trendet kyç të pranverës që vijnë nga pasarelat më me ndikim në botën e modës...

1. ATLETET

Dashuri të tilla nuk mbarojnë kurrë. Ndoshta, kjo shprehje vlen edhe për atletet që janë të destinuara të jenë pjesë e gardërobës sonë edhe për një kohë të gjatë. Këtë pranverë i kemi të shumta, nga modelet me ngjyra të forta e deri tek ato që jemi mësuar të shohim më shpesh, në ngjyrë të bardhë apo siç i njohim ndryshe atletet e vrapit.

Sigurisht, që kombinimi i parë që na vjen në mendje sapo themi atlete janë xhinset, por për të dalë pak nga zona komfort ne ju sugjerojmë disa variante kombinimesh.

Një nga kombinimet më ‘in’ të këtij sezoni janë kostumet pranverore veshur me atlete, një veshje ideale dhe praktike për të larguar pak formalitetin dhe elegancën që sjell kostumi si veshje. Një kombinim tjetër po aq i këndshëm janë dhe atletet kombinuar me pantallona me shtrat të lartë dhe me një këmishë apo t-shirt të thjeshtë. Nëse na pëlqen të kthehemi në vitet ‘90 mund t’i kombinojmë mjaft bukur me një fund lëkurë të shkurtër apo akoma më feminile për pamjen tonë, me një fustan me motive floreale, stil boho. Sekreti i një pamjeje sa më fashion është të mbështetemi pikërisht tek detajet. Mos harrojmë, se një pamje trend na jep dhe kombinimi i atleteve me një pardesy dhe një palë pantallona të bardha. E sigurt që St Tropez e kemi me vete.

Kemi marrë si shembull Iva Kalemin, moderatoren e njohur të lajmeve që gjithmonë e gjen veten me atlete.

 “Atletet më personifikojnë, mund të them se jam e fiksuar pas atleteve. Kur hyj në një dyqan sytë më shkojnë instinktivisht tek ato. Të gjitha veshjet e mia lidhen me to. Momentalisht kam rreth 30 palë, duke pasur parasysh këtu faktin që unë gjithmonë ricikloj”.

 

2. ZINXHIRËT

Një trend tjetër po aq i bujshëm sa atletet, janë dhe zinxhirët, një must i këtij sezoni, propozuar nga stilistë të mëdhenj gjatë sfilatave të tyre. Ky detaj i veshjes e sigurt që i jep pamjes sonë një qasje rok-glamour. Këtë aksesor do e gjejmë nëpër fustane, pantallona, sandale, çanta, rrobat e banjës, bereta, si dhe në atlete.

Një nga stilistet tona që e përdor vazhdimisht është Mirela Cerica, një emër i njohur i fushës së modës në Turqi dhe botë, që këtë detaj ka kohë që e ka bërë pjesë të koleksioneve të saja.

3. TIE – DYE – SI YLBER

Ky trend lindi rreth viteve 60 – të, mori jetë në vitet 90 – të dhe shpërtheu pikërisht këtë vit. Ja se ku do e gjejmë më shumë këtë motiv:

Shumë gjëra nuk ndryshojnë, edhe në modë. Pavarësisht eksperimenteve dhe gjërave të reja që futën në modë, ekzistojnë elementë ikonike që rikthehen në periudha të ndryshme. Dhe rezultati është gjithmonë i mirëpritur.

Ky motiv ishte simbol i protestave kulturore të hipive në vitet 60–të. Ndërkohë që në vitet 90–të u shndërrua në një mani e më pas u bë lajtmotivi i festivaleve të verës Coachella Style. Pikërisht, këtë vit vjen si një rizgjim i jetës, duke i dhënë forcën dhe vitalitetin e humbur prej një viti pandemie botërore. Tashmë, e gjejmë kudo si një motiv shumëngjyrësh, kaleidoskopik në bluza të thjeshta apo dhe në çanta dhe atlete. Përgatituni të visheni nga koka deri tek këmbët me ngjyrat e ylberit. Alberta Ferreti e ka përqafuar këtë motiv në fustanet e saj të linjës Houte Couture, Dior- i në koleksionin e çantave, Moncler-i në xhupat pranverorë.

Shembuj sesi nje bluzë të thjeshtë mund ta shndërroni në nje bluzë ylber keni plot në YouTube. Thjesht bëni një search duke shkruajtur "tie dye".

4. ÇIZMET E SHKURTRA – CHELSEA BOOTS

Nuk ka moment të vitit që çizmet të mos duken më bukur se kurrë në këtë periudhë të vitit, siç është pranvera. Me taka apo thjesht të sheshta, çizmet e shkurtra këtë vit janë një trend që gjithkush nga ne duhet ta përqafojë. Ky aksesor është një zgjidhje për çdo veshje përditshmërie: nga ngjyra e bardhë, e cila dominon në këtë periudhë, kombinuar me fustane të gjatë e të lehtë, duke e bërë pamjen tonë më romantike dhe paksa boho chic e deri tek ato si kauboj.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor