Personazh 22 Shkurt 2021

Sedati, kuzhinieri i famshëm i Libohovës që po mban gjallë traditën

Personazh

Nga Ani Jaupaj

Sa lë Memaliajn e deri sa të mbërrish në Sarandë, Sedatin e njohin të gjithë. Policët, fëmijët, të moshuarit. Këdo që të pyesësh në rrugë do të të tregojë se ku ndodhet restoranti i tij. Prej 22 vitesh, në Libohovë shkojnë klientë nga e gjithë Shqipëria për të provuar traditën kulinare që duket sikur ka humbur deri sa takon Sedatin. Kuzhina e tij është e hapur, mund të shohësh e zgjedhësh ç'të duash, vetëm se duhet të jesh shumë i uritur, përndryshe mos ndaloni fare.

Si të gjitha pjatat e trashëguara, ushqimi është kalorik edhe në rast se nuk porosit mish. Ka shijen dhe aromën e të gjitha maleve të Gjirokastrës dhe freskinë e malit Bureto, nga sheh restoranti i Sedatit. Por edhe nëse ke ngrënë mëngjes vonë, mjafton të vizitosh dy simbolet e qytezës, rrapin e madh, monument natyre, dhe Kalanë e Shanishasë, motra e Ali Pashait, të ngjisësh malin aq sa ke fuqi, dhe të zbresësh për të shijuar lakrorin me kokosh dhe qifqitë më të mira në të gjithë qarkun e Gjirokastrës.

"Ky restorant është hapur 22 vite më parë. Unë jam larguar nga Libohova kur shkova në Tiranë, në 1984-n, për të bërë shkollën e kuzhinës. Pas atyre dy viteve u ktheva sërish këtu dhe punova si kuzhinier. Pjatat sot janë po ato që përgatisja edhe atëherë".

Sa restorante njihni, në të gjithë Shqipërinë, që përgatisin pjatat e zonës së tyre prej kaq shumë vitesh, pa u lëkundur nga shijet e kohës?! Ka fare pak mundësi që t'ju vijë ndër mend një emër tjetër.

"Në '90, kur gjithçka u përmbys, provova të lëvizja. Punova pak kohë në Kakavi, pastaj gjatë verës shkoja në Sarandë derisa vendosa të kthehem sërish këtu."- sepse s'ka ku të jetë më mirë se në vendin e tij, për të prezantuar armët e Gjirokastrës: lakrorin me kokosh( gjel) qifqitë, shapkatin, japrakun (e gjeni gjithmonë sepse Sedati i ruan gjethet në ngrirje, gjatë dimrit) mishin e qengjave të malit, djathin e bardhë të Libohovës dhe lakrat e egra të zonës.

Nëse keni planifikuar një udhëtim në Gjirokastër, Sedati është vetëm 15 minuta larg.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor