Cfare te vizitosh ? 21 Janar 2021

Vigjilenca, mjekja që ka krijuar grupin e mikeshave për të shëtitur botën (edhe gjatë pandemisë)

Cfare te vizitosh ?

Ani Jaupaj
 
Sa herë nuk keni mundur ta realizoni udhëtimin e planifikuar vetëm pse njërit prej atyre që do të udhëtonin i doli një e papritur apo thejsht, befas, i iku dëshira?! Mjekja Vigjilenca Demiraj e ka gjetur zgjidhjen! Prej vitesh, bashkë me disa mikesha të saj, kanë krijuar një grup turistesh me të cilat shëtisin botën. Edhe nëse vetëm dy nga anëtaret e grupit janë të lira, udhëtimi realizohet, pastaj mund t’i shtohet kush të dojë! Për shkak të konferencave të punës, por edhe dëshirës për t’u njohur me vendet, për të eksploruar, për të mësuar, Vigjilenca udhëton pak më shpesh se të tjerat, dhe as pandemia nuk e ka ndalur. Historia e Vigjilencës mund të jetë e të gjithave, mjafton të keni dëshirë për të udhëtuar!  
 
Doktoresha, m’u duk kaq e dobishme ideja e një grupi zonjash që bëhen bashkë për të udhëtuar. Si është formuar grupi juaj? A njiheshit apo ju ka bashkuar puna?
 
Sigurisht që njiheshim me pare, por na bëri më të ngushta ideja për të udhëtuar bashkë. Nuk jemi te një profesioni, unë jam mjeke, dikush është pedagoge, një tjetër gjithashtu kolegja ime, me një tjetër na kanë njohur dikur partnerët, pra janë njohje nga rrugë të ndryshme. Sot që fëmijët i kemi larg dhe jo të gjitha ne kemi fatin t’i kemi bashkëshortët në jetë, kemi krijuar këtë mundësi. Disa prej mikeshave janë beqare kështu që në një mënyrë ose në një tjetër, ba bën bashkë fakti i të mos qenit të angazhuara në familje me kohë të plotë. Herë pas here në grupin tonë hyjnë edhe zonja të tjera që mund të jenë të afërmet e secilës prej nesh, pra ne i njohim por ato nuk janë fikse si ne të tjerat.

Si ka qenë udhëtimi juaj i parë sepse thonë që njerëzit mund t’i njohësh vërtet vetëm gjatë një udhëtimi?
Nuk më kujtohet udhëtimi i parë sepse kemi bërë shumë tashmë, si brenda dhe jashtë vendit. Zakonisht grupi ka 4-6 persona që nuk ndryshojnë pastaj sipas rastit shtohen. Për shembull, herë pas here na bashkohen edhe disa zonja nga Shkodra, kemi qenë bashkë me to në Alania, Mal të Zi, Velipojë etj. Shkojmë shpesh në Prizren dhe rrethinat e tij. Nuk është e thënë të bëhemi të gjitha bashkë sepse çdonjëra ka edhe angazhimet e saj personale apo familjare në momente të caktuara. Ky është thelbi i grupit që pavarësisht rrethanave të të gjihtave, në fundjavë apo për një udhëtim më të gajtë, do të jenë patjetër 4 apo 5 prej nesh të disponueshme dhe udhëtimi realizohet gjithmonë, nuk dështon sepse njërës i iku dëshira apo i doli diçka e papritur. Organizohemi shumë për fundjava, qoftë edhe për një drekë jashtë Tiranës.  Nga ana tjetër, shfrytezojmë tour-et e organizuara nga agjencitë. Unë, meqë më pëlqen shumë të udhëtoj, herë pas here përfshihem edhe në një grup tjetër. Shqipërinë e kemi vizituar shumë, kalatë, bukuritë natyrore, i kemi parë të gjitha. Jashtë kërkojmë të mësojmë për artin e kulturën e vendit. Dëshirat e përbashkëta  na i lehtësojnë udhëtimet. Përpara se të nisemi mësojmë prej internetit informacione rreth vendit ku do shkojmë dhe hartojmë një skedë për itinerarin e vizitave.

Fundvitin që sapo lamë pas, me gjithë vështirësitë, ishim në Sharm El Sheik. Meqenëse patëm kohë në dispozicion vizituam edhe Kairon, bëmë shëtitje në Nil. Kemi shkuar në Izrael, Palestinë. Herën tjetër do të shkojmë në Ultësirën e Sinait. Për fat, për shkak të punës, unë udhëtoj shpesh dhe për çdo takim pune e pres biletën me dy apo një ditë më shumë në mënyrë që të kem kohë të qëndroj edhe për të parë qytetin.


A krijohen mosmarrëveshje pse dikush do të shkojë në një vend e dikush në një tjetër?
 
S’kemi patur mosmarrveshje sepse ne jemi shoqe prej vitesh. Edhe kur shtohen njerëzit e rinj, rregullat janë të qarta që në fillim, madje s’është e nevojshme as të thuhen. Shumica vendos ku do të shkojë, por nëse njëra do të qëndroj në hotel apo të shkojë diku tjetër e vetme, e respektojmë dëshirën e secilës, as ajo as ne nuk mërzitemi. Është normale që dikush të ketë interes për diçka tjetër, ndryshe nga shumica.

 

Si funksionon grupi? Cila prej jush është nxitësja, ajo që zgjedh vendin apo propozon idenë?

Nuk ka nje nismetare. Secila prej nesh gjen një rast dhe e propozon. Ne kemi grupin tonë në telefon ku çdo ditë përveçse komunikojmë për gjërat e ditës, propozojmë edhe idetë e udhëtimeve.

A keni udhëtuar gjatë këtij viti?

Këtë vit kemi qenë të kufizuara shume prej pandemisë. Shumica e udhëtimeve kanë qenë brenda vendit. Mua më ka përkëdhelur pak fati sepse sidoqoftë nuk mund të kalojë një vit i tërë pa udhëtuar për punën por nga ana tjetër kam shkuar edhe te ime bijë, në Amerikë ku kam shëtitur nga veriu  në jug. Kanadaja, Tailanda, Australia apo vendet nordike kanë gjithashtu në fokusin tim dhe i kam kryer tashmë falë edhe këtyre përparësive që sjell jeta.

Cili është programi i radhës?

Shpresoj shumë që të vizitojmë Vietnamin. Dua të shkoj gjithashtu në Phuket sepse nuk pata mundësi të shkoja gjatë udhëtimit në Bangok. Do të zëvendësoj shpejt edhe udhëtimin në Irlandë ku u anullua kongrsei që kishim për shkak të pandemisë.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor