Personazh 13 Janar 2021

Neljana Jaze sfidon veten me dush të ftohtë dhe plazh në janar "Bëjeni më të bukur jetën tuaj!"

Personazh

Nga Ani Jaupaj

Cilatdo qofshin praktikat që vendosim të ndjekim për të përmirësuar humorin apo shëndetin tonë, nëse funksionojnë, bëjini dhe mos u kurseni ta ndani përvojën tuaj me të tjerët. Neljana Jaze gjithmonë i ka përkrahur mënyrat e shëndetshme të jetesës dhe jo vetëm përmes ushqimit. Si një vegjeteriane shumëvjeçare, vetëm kaq nuk mjafton! As yoga që është kthyer në punën e saj të dytë.

Së fundmi, Nela po ndan në Instagramin e saj yoginela, përvojën me ujin e ftohtë. Mirëpo, duhet të tregoheni të kujdesshëm sepse nuk është një gjë që mund ta nisni befas, një mëngjes, pa përgatitur më parë trupin. Nela është stërvitur, prandaj edhe mund të lahet në temperaturat e Jonit në janar. Çdo fundjavë që mundet, ajo udhëton nga Tirana drejt jugut për të jetësuar praktikën që i ka ndryshuar jetën.

"Jam frymëzuar nga Wim Hof, i njohur ndryshe edhe si ‘’The Iceman (Njeriu i Akullit)’’, një atlet hollandez i cili njihet për aftësitë e tij për t’u rezistuar temperaturave shumë të ulëta. Ai ka vendosur rekorde botërore Guiness duke notuar poshtë akullit, duke qëndruar në kontakt direkt me akullin për kohë të gjatë, duke realizuar zbathur gjysmë maratonë mbi borë dhe akull etj.

Wim Hof beson dhe e ka provuar se të gjithë mund të zhvillojnë aftësitë e tij nëse do te praktikojne Wim Hof Method që bazohet ne 3 shtylla kryesore: terapia me të ftohtë/ekspozimi ndaj te ftohtit (cold therapy), frymëmarrja (breath), dedikimi/angazhimi/vullneti (commitment).

Ekspozimi im ndaj të ftohtit u frymëzua nga çiltërsia dhe dashuria me të cilën Wim Hof artikulonte dhe inkurajonte njerëzit për një jetë më cilësore përmes artikujve e videove pa fund që publikonte, por dhe nga kurioziteti se si do të ndikonte tek unë WHM, që tashmë ishte provuar shkencërisht për përfitimet shëndetësore". - tregon Nela.  Vetë aplikimi i terapise së ftohtë është përdorur edhe për arsye mjekësore prej mijëra vitesh dhe disa prej të mirave shëndetësore që sjell janë ulja e inflamacionit në trup, forcimi i sistemit imunitar, përmirësimi i gjumit, ulja e ankthit dhe depresionit etj.

"I ftohti nuk më ka pëlqyer asnjëherë dhe shpesh ekstremitetet, e trupit, kryesisht duart më ftohen menjëherë në ambiente të ftohta, kështu që fillimi i dusheve të ftohta ishte pak i vështirë. Madje kam tentuar ta aplikoj WHM para disa vitesh, por nuk kam qenë shumë e rregullt dhe dushet e ftohta ishin sporadike. Së fundmi, kam 3 muaj që me durim dhe me dedikim zgjodha t'i dorëzohesha të ftohtit, pa shumë mendime, me mendje dhe zemër të hapur, vazhdova me dushe të ftohta, një apo dy herë gjatë ditës.

I ftohti nuk të lë shumë hapësirë për mendime, në fakt vëmendja jote nuk ka aftësinë të shkojë pas mendimeve kur trupi yt është nën shokun e të ftohtit dhe kjo është mundësia ideale për të shkuar në qendër të vetes, pa mendime dhe me fokus vetëm tek frymëmarrja. Do ta quaja një formë ideale meditimi.  Tashmë ndihem rehat dhe mund të qëndroj në dush me ujë të ftohtë deri në 4/5 minuta. Së fundmi kam shijuar edhe detin Jon, jo vetëm në verë, por edhe në nëntor, dhjetor dhe janar. Ndjesi fantastike! Unë dhe deti, unë dhe iI ftohti, e pastaj…paqe"- ende nuk keni shkuar të zhyteni? :)

Ekspozimi ndaj të ftohtit përmes dushit me ujë të ftohtë është kthyer tashmë për të në një praktikë të përditshme dhe përfitimet më të dukshme që ka ndjerë deri tani janë më tepër psikologjike, emocionale dhe shpirtërore. "Nëse në mëngjes zgjohem pa humor të mirë apo nëse e humbas humorin e mirë gjatë ditës, dushi i ftohtë më rikthen energjinë pozitive, ndihem më e gjallë. Ekspozimi ndaj ujit të ftohtë më ka dhënë më shumë qetësi në mendje dhe në trup. Uroj që edhe ju t’i jepni ujit të ftohtë një mundësi për ta bërë më të bukur ditën, javën, jetën tuaj."

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor