Personazh 9 Janar 2021

Eli Zhulati, e vetmja mjeshtre qëndistare e kostumeve popullore të Gjirokastrës

Personazh

Nga: Ani Jaupaj 

E kisha njohur Eli Zhulatin përmes historive të vogla që shefi gjirokastrit Mondi Kikino ndan në rrjetet e tij sociale dhe kisha menduar që ishte një nga gratë e pakta që ruajnë recetat e vjetra të kuzhinës gjirokastrite. Kështu është! Eli është ndër të paktat që gatuan traditën gjirokastrite, por nuk di të bëj vetëm kaq! Sërish brenda trashëgimisë së vendit të saj, por me një kontribut unik, Eli është e vetmja grua gjirokastrite që qëndis kostumet popullore të Gjirokastrës, për burra, gra e fëmijë. Kur ishte e vogël, megjithëse e rrethuar nga gratë e shtëpisë së saj të madhe që punonin në tezgjah, qepnin jorganë a qëndisnin, Eli nuk kishte ndonjë kënaqësi të madhe të merej me punët e tyre.

I mjaftonte nëse i jepnin ca nga copat e mbetura për të veshur kukullat e saj dhe kaq. Mirëpo, kur u gjend përpara nevojës për të punuar, imazhet më të forta të të gjithë jetës, ishin pikërisht ato të sokakëve të Gjirokastrës, me gratë e moshuara ulur në portat e shtëpisë, që qepnin a qëndisnin. Edhe imazhet e së ëmës, gjyshes e xhaxheshës së saj (jetonin të gjithë në një shtëpi) ju shfaqën përpara syve si në një revistë. Tashmë, prej 15 vitesh, Eli ka rikthyer historinë e Gjirokastrës në kostumet popullore dhe nuk ccuditet më që edhe të rinjtë i kërkojnë kostumet e saj.

“Bodrumet e shtëpisë tonë të madhe shërbenin si punishte të zejeve. Gjyshi vinte nga kooperativa, gjyshja ishte shtëpiake, tipike gjirokastrite dhe kuptohet që merej me gjithccka. Mblidhte leshin e bagëtive, bënte larjen, pastrimin deri sa e bënte fill dhe e thurrte me shtiza për të plotësuar nevojat e familjes në veshje. Mamaja ime ka qenë jorganpunuese. Nusja e xhaxhait ishte te reparti i tezgjahut.

Këto zanate nuk më bënin përshtypje në fëmijëri, por kur erdhi koha që t’i shfrytëzoja, i kisha të gjitha përpara syve”- tregon Eli. Në vitet e para të demokracisë punoi sipas rastit e nevojës deri sa i vëllai i kërkoi një kostum popullor sepse do të shkonte në Poloni me grupin polifonik. Eli e mori përsipër pa u menduar fare, dhe vetëm pasi kishte bërë premtimin mendoi se si do t’ia dilte?!  Për model i shërbeu një kostum i vjetër popullor. I studioi qepjet dhe ia doli.

Tani e kuptoi se sa e rëndësishme ishte edhe mungesa e një temine të vetme, që dikur ia merte fshehtas të ëmës. Më pas, përmes Fondacionit Gjirokastra arriti të marrë pjesë në organizime të ndryshme, aktivitete të fushës. Plotësoi njohuritë dhe u ushtrua! Vetëm pas kësaj etape u ndje gati të merte përsipër porosi nga klientët, grupe dhe individë. Ata që e njohin fushën e dinë mirë që sytë e duart, me këtë punë, janë gjithnjë të lidhura. Eli punon orë të tëra, megjithatë ja del që të mos lërë pas dore as gatimet e saj të shkëlqyera, duke mbajtru kështu të gjallë historinë dhe traditën e vendit të saj, në të gjitha format që ka mësuar nga pjesëtarët e familjes së saj të madhe.

 

 

 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor