Personazh 7 Janar 2021

Mira iku nga Tirana për t'u bërë e vetmja grua që shëtit turistët maleve të Tepelenës e Gjirokastrës

Personazh

Nga ANI JAUPAJ

Të gjithë ju që rrini ngrohtë, në shtëpi, në ditë të ftohta e me shi, si këto, duhet të dini që edhe Mira rrinte dikur, deri sa vendosi të largohet nga rehatia për të ''zbardhur'' historinë në Peshtan, fshatin ku ka lindur. Mira thotë që Peshtani është edhe i Tepelenës, edhe i Gjirokastrës, edhe i të gjithëve. Ajo u vendos atje me familjen për të hapur kafen e fshatit. Aty ndalonin të gjithë turistët që kishin nevojë për orientim. Kështu nisi puna e Mirës si guidë turistike në historinë e shtigjeve të maleve, ndërsa tani, përveç kampingut kanë edhe bujtinën e tyre.

Mira, si është dimri në Peshtan? Ka turistë tani?

Dimri në Peshtan nuk është shumë i egër, mund të themi që është  si pjesa më e madhe e klimës së Shqipërisë. Në këtë periudhë ka më pak turistë edhe për shkak të stinës, por sivjet sidomos për shkak të pandemisë.

Cila është koha më e mirë për ta vizituar?

Pranvera dhe vjeshta janë stinët më të bukura në Peshtan, me shumë ngjyra dhe me një mot të qëndrueshëm dhe të ngrohtë.



Këtë vit duhet të keni pasur njerëz meqenëse nuk kanë udhëtuar jashtë, apo jo?

Faktikisht ka patur më pak njerëz për shkak të pandeminë. Mezi presim t'i rikthehemi normalitetit të të punuarit.


Çfarë bëjnë njerëzit kur vijnë këtu te ju?

Sigurisht që vijnë për të soditur natyrën, bëjnë hiking përreth fshatit, ngjitje në malin e Golikut, njihen me historinë e fshatit, provojnë gatimet tradicionale, shohin muzeun me mbetjet e luftës italo-greke, etj.

Si vendosët ta lini Tiranën për të jetuar në Peshtan dhe cilat ishin disa nga gjërat e para që bëtë këtu?

Së pari sepse Peshtani është vendlindja ime. Lidhja me vendin e origjinës është gjithmonë e fortë. Pastaj ka ndikuar dhe klima e mirë në fshat, qetësia që të ofron. Jemi familjarisht të dhënë pas maleve dhe natyrës së fshatit dhe është një punë që e bëj me dëshirë dhe pasion. Gjëja e parë që kemi bërë ka qenë hapja e një vendtakimi, tip kafeneje në fshat, aty filluan të vinin goxha të huaj dhe ne u bënim guidën nëpër shtigjet e zonës. Fill pas kësaj kemi hapur dhe kamping dhe së fundmi kemi përfunduar dhe Bujtinën.



Mira, të gjithë të njohin si guidën e Peshtanit. Më duket se thonë më tepër të shkojmë te Mira se në Pështan.

Siç e thashë jam bijë e këtij fshati, kam lindur dhe jam rritur këtu dhe si rrjedhojë jam një njohëse e mirë e historisë së tij si dhe shtigjeve të zonës.



Ky referim mendoj se lidhet me faktin se kam qenë dhe ndoshta vazhdoj të jem e vetmja guidë femër në zonë. Bashkë me familjen kemi qenë të parët që kemi nisur rrugën e turizmit në fshat. Ka qenë më e vështirë se sa tani dhe në një farë mënyre kemi shtruar terrenin për të tjerët. Kemi bërë një pjesë të mirë të promovimit të fshatit dhe besoj se kjo është arsyeja.

Ideja për t'u marrë me turizëm ka lindur shumë rastësisht, nga takimi më një çift Italian që kishin pasur gjyshërit në luftën italo-greke. Më pas me ardhjen e disa grupe turistësh vendosëm të bëjmë guidën (duke e parë dhe si një mënyrë fitimi të ardhurash) dhe të vijonim më tej me shfrytëzimin e të gjitha të mirave që na ofronte fshati për të kënaqur vizitorët. Përpara se të ofronim akomodimin, turistët i strehonim nëpër shtëpitë e banorëve të fshatit dhe me ardhjen e njerëzve  fshati filloi të lulëzonte.

Ke arritur të krijosh një koleksion objektesh nga ato që ke gjetur nga shëtitjet e tua. Na trego pak për të, çfarë përmban?

Kemi krijuar një koleksion të madh objektesh që i përkasin luftës italo-greke, pra periudha e Luftës së dytë Botërore. Kemi disa vjet që grumbullojmë objekte të tilla. Janë pothuajse të gjitha pajisjet e ushtarëve në luftë, helmetat, armët, maskat kundra gaz, gavetat, sende personale, këpucë, mjete gatimi, sende me mbishkrime, madje kemi gjetur dhe batanije apo veshje të kohës së luftës që kanë qenë sigurisht të dëmtuara por që kanë rezistuar kaq e kaq vite pa u zhdukur. Përveç ktyre kemi gjetur dhe mbetje humane në mal, mbetje të trupave të ushtarëve të vdekur.

Çfarë gjete së pari?

Fillimisht kam gjetur nje pushkë në oborr, disa bomba dhe fishekë kur po bënim disa  rregullime te oborri i shtëpisë. Gjithashtu kam gjetur dhe disa sende të fshehura nga gjyshi im që në atë kohë. Fshati ka qenë dhe është i mbushur me objektet te tilla.

Ç'histori përmbajnë ato objekte?

Këto objekte përmbajnë së pari historinë e fshatit që u dogj nga lufta dy herë pa qenë fare pjesë e luftës, shpërnguljen e banorëve në atë kohë dhe rikthimin e tyre në shtëpitë e djegura dhe të shkatërruara nga lufta. Gjithashtu përmbajnë historinë e ushtarëve, djemve të rinj  që erdhën të detyruar në luftë, nga 20 vjec, u vranë më malet e Shqipërisë pa pasur asnjë faj dhe eshtrat e tyre vazhdojnë të gjenden nëpër mal.

Mira, përveçse si guidë e identifikimi i këtij fshati, a gatuan, kush i sajdis turistet me ushqim?

Ushqimet i përgatis unë së bashku me familjen time. Gatuajmë ushqime tradicionale të zonës që turistët i pëlqejnë shumë. Metodat e gatimit preferojmë t'i mbajmë tradicionale, siç është gatimi në saç dhe në zjarr.


Na trego disa nga guidat që bëhen nëse vijmë në Peshtan

Disa nga vendet që mund të vizitohen në Peshtan janë Kanionet e lumit të Zagorisë, shtegu i Zagories që kalon për në Malëshovë, Maja e Golikut, lumi Vjosë, Kalaja Ilire, ura e gurtë e periudhës së Ali Pashës,  ura e Mullirit dhe ujësjellësi i ndërtuar po ashtu në periudhën e  Ali Pashës etj. 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor