Pjata kryesore 21 Nëntor 2020

Pispili me kunguj të njomë dhe djathë kaçkavall, një recetë ndryshe nga tradicionalja

Pjata kryesore

Nga LINDA FISHTA/Fotografia ARMAND HABAZAJ

Pispilia është një gatim tradicional shqiptar që përgatitet në krahina të ndryshme te Shqipërisë. Secila zonë, ka mënyrën e vet të përgatitjes dhe emrin e vet gjithashtu, e përbashkëta është që të gjitha kanë si përbërës miellin e misrit dhe perime jeshile si spinaq, labot, pazi, hithra etj. Por ne sot kemi vendosur ta përgatisim me kunguj të njomë. 

Përbërësit për tavë drejtkëndëshe: 25x20 cm: • 5 kokrra vezë • 120 g miell • 110 ml vaj luledielli • 1 + 1/2 lugë e vogël sodë për torta të kripura ose për torta të ëmbla pa vanilje • 120 g djathë kaçkavall i grirë në rende • 1/2 qepë e grirë shumë imët • 4 kunguj mesatarë • 2 karota • kripë dhe piper.

Përgatitja: Ndezim paraprakisht furrën në temperaturën 180° C. Karotat e qëruara dhe kungujt i grijmë në rende me vrima të mëdha dhe i lëmë mënjanë. Në një tas, përziejmë me rrahësen e vezëve me dorë, për një minutë: vezët, vajin, miellin dhe sodën, të cilën e kemi hedhur me sitë. Shtojmë karotat, kungujt e shtrydhur mirë me dorë nga lagështia e tepërt, djathin dhe qepën. I përziejmë mirë me lugë druri dhe e rregullojmë për kripë e piper. Hedhim masën në tavë me letër furre dhe e vëmë të piqet për 45/50 minuta afërsisht ose derisa të shohim që brumi ka marrë ngjyrë në sipërfaqe dhe është mpiksur. Kur të jetë ftohur, e presim në kubikë. Nëse do ta konsumoni të nesërmen, mbështilleni me letër alumini pa e prerë dhe ruajeni në frigorifer. Të nesërmen nxirreni nga frigoriferi 15-20 minuta përpara se ta konsumoni dhe priteni në kubikë.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor