Pjata kryesore 8 Nëntor 2020

Buke e zezë me arra rrush të thatë dhe rozmarinë

Pjata kryesore

PËRBËRËSIT PËR TAVË DREJTKËNDËSHE 30X10 CM: 180g miell i bardhë ? 100g miell integral ? 2 lugë kafeje sodë buke ? 1 lugë kafeje kripë ? 200g kos i bardhë ? 200ml qumësht ? 20g sheqer kaf ? 40g mjaltë ? 120g rrush i thatë ? 120g arra të grira me dorë në thërrime jo shumë të vogla ? 40g fara kungulli të qëruara ? 30g fara susami ? 30g fara lini ? 1 lugë gjelle rozmarinë e freskët e grirë imët në moment (sipas dëshirës)

PËRGATITJA: Ndezim furrën me 180°. 1Vëmë rrushin e thatë në një tas dhe e mbulojmë me ujë të nxehtë për ta hidratuar për 10 minuta.

2Në një tas tjetër përziejmë: kosin, qumështin, sheqerin dhe mjaltin. I lëmë mënjanë.

3Në një tas tjetër përziejmë me lugë druri miellrat, sodën, të cilën e kemi hedhur nëpërmjet një site dhe kripën. Shtojmë arrat e thërrmuara, farat e kungullit, të linit dhe të susamit. Në fund shtojmë rozmarinën dhe rrushin të kulluar nga uji dhe të shtrydhur mirë me dorë.

4Shtojmë përzierjen e kosit me përbërësit e tjerë te tasi ku kemi përzier miellrat dhe i përziejmë me lugë druri me shpejtësi, sepse soda e bukës hyn në veprim menjëherë kur bie në kontakt me lëngjet. Hedhim brumin në tavë të lyer më parë me gjalpë e miell ose letër furre dhe e pjekim në furrë për 40/50 minuta. Bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh dhe kur ajo të dalë e pastër buka është gati. E lëmë të ftohet në temperaturë ambienti dhe tani është gati për t’u konsumuar. Është shumë e mirë me reçelra, mjaltë, rikota, etj. Nëse dëshironi feta buke më krokante, mund ta konsumojmë edhe ndryshe: bukën e pjekur dhe të ftohur më parë në temperaturë ambienti e mbështjellim me letër alumini dhe e lëmë në frigorifer të ftohet për një orë ose dhe më shumë, pasi duhet të jetë shumë e ftohtë për ta ndarë në feta të holla me trashësi 5mm. Ndezim furrën me 200° dhe fetat e bukës të prera hollë i vëmë të theken për 5 minuta nga të dyja anët. Bëjmë kujdes të mos digjen, i nxjerrim nga furra kur të jenë akoma të buta pasi ato thahen më pas kur të ftohen. I hamë kështu siç janë, ose të shoqëruara me rikota të përzier me pak vaj ulliri e rigon ose piper, me gjalpë e kripë dhe pse jo, edhe me pak marmelatë.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor