Aktualitet 23 Tetor 2020

Habisin shkencëtarët " E ftohura mund t’ju mbrojë nga Covid-19"

Aktualitet

Një studim i ri tregon se pas një të ftohure personi mund të jetë më i aftë për t’i rezistuar një goditjeje të rëndë nga COVID-19. Pacientët me COVID-19, të cilët kohët e fundit ishin infektuar me një virus të së ftohurës së zakonshme, kishin më pak të ngjarë të vdisnin ose t’i nënshtroheshin kujdesit intensiv, krahasuar me ata që nuk ishin ftohur kohët e fundit, sipas studimit të botuar së fundmi në Revistën e Hulumtimit Mjekësor.

COVID-19 shkaktohet nga një koronavirus i ri i quajtur SARS-CoV-2. Por “njerëzit janë infektuar me koronavirusë [të tjerë] për një kohë shumë shumë të gjatë”, tha autori i studimit Manish Sagar, profesor i mjekësisë në Universitetin e Bostonit. “Ne kemi katër … koronavirusë aktualisht që janë sezonalë dhe shkaktojnë të ftohurën e zakonshme”. Pyetja, shtoi ai, është “nëse të paturit e një infeksioni të mëparshëm me koronavirusët e të ftohurës së zakonshme çon në ndonjë lloj mbrojtjeje kundër SARS-CoV-2”.

Ftohjet e zakonshme dhe COVID-19

Pas rikuperimit nga një infeksion viral, trupi mban një masë të vogël të antitrupave dhe qelizave T që luftojnë mikrobet, të cilat ndihmojnë në mbrojtjen kundër një infeksioni të dytë nga i njëjti virus. Studiuesit u “tronditën” kur gjetën qelizat T që diktojnë SARS-CoV-2 në gjakun e pacientëve që nuk ishin ekspozuar ndaj virusit, tha autori i studimit Sydney Ramirez, imunolog dhe studiues i sëmundjeve infektive në Institutin La Jolla për Imunologjinë. Në një studim pasues, studiuesit treguan se këto qeliza T kishin mbetur nga ekspozimi ndaj koronavirusëve të zakonshëm që shkaktojnë ftohjen.

Zoti Sagar dhe kolegët e tij krahasuan njerëzit që kishin patur rishtazi një infeksion viral në formën e të ftohurës së zakonshme, me ata që nuk e kishin kaluar. Ata zbuluan se të dy grupet u infektuan me Covid-19 me të njëjtën shpejtësi, por njerëzit që kishin vuajtur së fundmi nga një ftohje shfaqën simptoma më të lehta nga Covid-19.

“Ata kishin më pak të ngjarë të kishin nevojë për një trajtim në njësinë e kujdesit intensiv dhe kishin shanse më të vogla të vdisnin nga infeksioni”, tha zoti Sagar.

Për shumë të rritur dhe shumicën e fëmijëve, Covid-19 shkakton vetëm simptoma të lehta, të ngjashme me të ftohurën ose nuk shktaton simptoma fare. Në këta njerëz, sistemi imunitar në mënyrë efektive pastron grimcat e virusit dhe shkatërron qelizat e infektuara, duke parandaluar sëmundje serioze. Por “sistemi imunitar është një shpatë me dy presa”, thotë Andrea Cox, profesore e mjekësisë në Universitetin Johns Hopkins. Reagimi i ekzagjeruar ose rregullisht i dobët i sistemit imunitar mund të shkaktojnë inflamacion që çon në probleme të frymëmarrjes, dështim të organeve dhe vdekje. Këto rezultate të rënda zakonisht ndodhin tek të moshuarit ose tek njerëzit me probleme të tjera shëndetësore, si mbipesha dhe diabeti.

Reagime të tilla jashtëzakonisht të ndryshme ndaj virusit Covid-19 mund të shpjegohen, pjesërisht, nga përvojat e kaluara të sistemit imunitar, thonë ekspertët. Njohja e koronavirusit nga qelizat T që tashmë ekzistonin në sistem mund të mundësojë një përgjigje imunitare më të shpejtë dhe më të fortë dhe simptoma më të lehta të Covid-19.

Imuniteti gjithashtu mund të varet nga individi. “Jo të gjithë që infektohen me virus kanë saktësisht të njëjtën përgjigje imunitare. Në fakt, edhe binjakët identikë nuk japin përgjigje të ngjashme imunitare ndaj një virusi me të cilin ata infektohen”, thotë studiuesja Cox. “Pra, mund të varet nga individi që infektohet. Dhe kjo mund të varet nga faktorë të tjerë si vendi ku jetoni në botë, ku koronavirusët e ndryshëm të të ftohtit sezonal vijnë në kohë të ndryshme, dhe gjithashtu nga prejardhja gjenetike e personit të infektuar”, shtoi ajo./VOA/

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor