Të zbulosh Shqipërinë me Santën 6 Korrik 2020

Kalaja përrallore e Bashtovës, thesari i fshehur që duhet vizituar jo vetëm nga turistët e huaj

Të zbulosh Shqipërinë me Santën

Nga Santana Çomora

Në një ditë gri që s’të ofron plazhin e fundjavës, pse mos provosh të shkosh në një monument kulture siç është kalaja e Bashtovës, të cilën për hir të së vërtetës kisha kohë që e kisha pikasur, për të vetmen arsye, realizimin e një seti fotografik fashion për revistën. Dhe ja ku erdhi dita që të shkoja ta shihja tamam nëse ia vlente apo jo për atë që kisha në mendje.

Rruga për të shkuar deri në kala është e shtruar. Ajo është vetëm 72 km larg Tiranës. Fshati Gosë i Kavajës është sinjali që duhet të marrësh djathtas, për të ndjekur rrugën e fshatit Vilë-Bashtovë. Shtëpitë janë të reja, kryesisht dykatëshe dhe të ndërtuara në distancë nga njëra – tjetra. Duket sikur gjithë zona është ndërtuar pas viteve '90-të. Shumica e fshatarëve merren me bujqësi. Përgjatë gjithë rrugës nuk shikon restorante apo agroturzime, përveç atij që është përballë derës kryesore të kalasë. Menjëherë pas kthesës së fshatit Vilë – Bashtovë shfaqet magjishëm kalaja përrallore me bedenat dhe kullat e rrumbullakëta, që të çon në një kohë tjetër.

Vilë Bashtova ka qenë një nga portet më të rralla që lidhte këtë vend me Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë e mesme. Shekuj më parë, kjo kala shërbente si një bazë e mirë si për tregtinë e saj kohe, kryesisht drithërave si dhe si një pikë strategjike për ushtrinë. Kalaja është ndërtuar në një terren fushor, ndodhet rreth 400 m në veri të lumit Shkumbin. Kullat kanë frëngji të shumta. Kalaja ka pasur tre hyrje. Në hyrjen ballore të saj gjenden të dhënat e kalasë si dhe një bar ku mund të shijosh ndonjë pije të ftohtë.

Përveç tabelës shpjeguese nuk kishte asgjë tjetër për të dhënë ndonjë informacion më shumë rreth kësaj bukurie. Por, kalaja është aq mahnitëse për nga bukuria e saj sa mundohesh të zbulosh vetë për të. Ajo është e ndërtuar me mure katrore me dritare në formë frëngjie, në mes të viteve 1467 – 1478, d.m.th. rreth shek XVI. (tabela përshkruese).

Forma e saj drejtkëndore të çon deri diku në idenë se kalaja ka qenë një fortesë ushtarake mjaft e rëndësishme për kohën. Nëse ngjitesh në ngrehinat e kalasë mund të arrish të shikosh detin, një peizazh magjepsës. Por për të arritur deri aty bëni KUJDES! Nuk ka asnjë parmak apo litar për t’u mbajtur. Mungon siguria. Të gjithë bukurinë e shekujve më parë e prishin disa detaje, që në vetvete përbëjnë siguri për çdo turist që dëshiron ta shijoj këtë monument kulture.

E gjithë fusha brenda kalasë është e mbushur me ferra. Kështu, që realisht bëni kujdes kur doni të bëni foto. Vishuni më mirë me atlete dhe pantallona ose fustane të gjatë.

Gjithsesi, në vetvete kalaja mbetet një atraksion kulturor që ia vlen të vizitohet njëherë në jetë. Dhe ajo që kisha në mendje jam e sigurt që do të realizohet shumë shpejt. Të gjithë elementët e përrallës së famshme gjenden, kalaja, fusha, frëngjitë, bedenat...Nuk mbetet gjë tjetër vetëm gjetja e vajzës me flokë të artë me emrin Rapunzel : ) si dhe veshjet për editorialin e radhës fashion. Shihemi së shpejti !

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor