Personazh 29 Qershor 2020

Rikthimi në modë i kartolinave; Njihuni me Esmeraldën, piktoren nga Velipoja që personalizon dhuratat për ju

Personazh

"Si çdo fëmijë që ka një hobi vetjak, që në moshë të vogël mënyra si e kaloja kohën e lirë ishte më së shumti duke pikturuar. Por ndryshe nga moshatarët e mi të cilët argëtoheshin jashtë me njëri-tjetrin, kohën time të lirë e kaloja gjithmonë me laps e letër në dorë. Falë komenteve pozitive që më bënin njerëzit e mi të dashur dhe dëshirës sime të madhe, unë përsëri gjendem sot në studion time me penela dhe telajo si shoqëruesit e mi më të mirë të ditës.”

Ky paragraf përshkruan më së miri, Esmeraldën, vajzën nga Velipoja e cila me artin dhe talenin e saj ka risjellë në modë kartolinat, në formën e dhuratave për raste të ndryshme.

Ajo ka rreth një vit që ka filluar me krijimin e kartolinave të cilat pasqyrojnë pamje të qytetit bregdetar dhe që realizohen nëpërmjet akuarelit.

“Rastësisht zgjodha një foto të detit dhe pas përfundimit të punës përshtypja e parë qe si të ishte një kartolinë. Prandaj, ngaqë jo çdo kush mund të blejë piktura, mendova që kartolina të tilla në përmasa të vogla jo vetëm që mund të pëlqehen nga syri i publikut por të blihen më tepër... dhe nëse kanë kohë që nuk kanë marrë ose dërguar një kartolinë, të paktën t'i blejnë vetes një të tillë duke risjellë vlerën e kësaj metode që mbart në vetvete një kujtim të përhershëm....”

Esmeralda ka zgjedhur instagramin, si një mënyrë që të gjithë të njihen me artin e saj dhe pse jo ta vlerësojnë atë, ashtu si dhe ka ndodhur deri më sot.  Rrjetet sociale për të janë si një urë lidhëse me publikun me qëllimin e promovimit si një artiste  por gjithashtu dhe promovimit të qytetit të Velipojës ku dhe është rritur.

Ajo është aq e lidhur me natyrën dhe detin sa kur e pyet për preferencat e saj përgjigjja është kjo:

“Preferoj të pikturoj natyrën. Ajo është gjithnjë në ndryshim, mjafton të ecësh jashtë dhe ajo është atje për të të dhënë ide. Duke qenë se vendi ku jam rritur është një panoramë e plotë e natyrës me shumë ngjyra, duke përfshirë këtu fusha plot e përplot me gjelbërim, pyje, këneta... dhe mos të lëmë pa përmendur sipërfaqe të tëra me ujë të kripur...Deti, nuk lodhem së hedhuri në telajo gjendjen (ngjyrat, dallgët, valët etj) që ndërron çdo stinë! Velipoja ka natyrë të bukur, natyrë që të inspiron.

Dhe jo më kot kartolinat më të kërkuara janë ato në të cilat pasqyrohet deti! Por ka dhe shumë më shumë për të zbuluar rreth Esmeraldës ndaj hidhini një sy punimeve të saj:

Nga:Xhoia Dumi

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor