Personazh 12 Qershor 2020

SplashLand; Njihuni me ekonomisten që zbuloi talentin në pikturë nga një gabim i momentit

Personazh

Nga: Santana Çomora

Ndjenjat mund të mos kenë zë, por kanë ngjyra të mrekullueshme. Kështu ndodhi dhe me Evis Qyrdedin, e cila nëpërmjet ngjyrave zbuloi figura abstrakte, të cilat e çuan në një tokë të spërkatur “SplashLand” , të etur për krijimtari. Pikërisht, ky është dhe emri që ajo mban në faqen e saj në Instagram (splash_land_), i cili erdhi natyrshëm. Ishte duke pikturuar në telajo kur një moment shikon se rrobat i kishte të spërkatura nga bojërat dhe i lindi ideja që krijimet e saj ti pagëzonte me një togfjalësh shumë domethënës, jo vetëm për nga kuptimi, por edhe nga teknika e përdorur.

Evisi është vajza që pasionin e saj për pikturën po arrin ta vërë në funksion të gjërave që ajo krijon. Me një profesion shumë të ndryshëm nga pasioni, atë të Administrim Biznesit, Evis tashmë e ka kuptuar, që ajo që di të bëjë më mirë dhe i fal kënaqësi pa fund është të pikturojë. Që e vogël ka vizatuar, madje ka marrë pjesë edhe në ekspozita modeste që organizoheshin në shkollë. Me rritjen u shkëput nga pasioni, por vetëm para tre vitesh ky talent i erdhi si zgjidhja e vetme për të kaluar monotoninë e përditshme.

Materialet që përdor për realizimin e pikturave në rroba dhe aksesorë  janë bojëra të posaçme për tekstile, te cilat i porosit online dhe disa të tjera i siguron në kancelarinë e mikeshës së saj.

Një ditë normale në studio i merr 5 – 6 orë të mira, shoqëruar gjithmonë nga muzika e lartë, aleatja e saj në këtë krijimtari. Por, ka ditë e net që ajo i ngrys aty. Ditët kanë të njëjtin vrull nisjeje, por secila prej tyre zhvillohet intensivisht ndryshe e  mbyllet në orët e para të mëngjesit të ditës në vijim. Studioja është pikënisja nga ku nisin të marrin jetë jo vetëm porositë, por edhe të zhvillojë akoma më shumë imagjinatën duke krijuar gjëra të reja.

“Koha në studio mbaron kur përfundojnë pikturat. Piktura për mua është forma më e bukur që kam për të shprehur ndjenjat dhe imagjinatën time. Më së shumti preferoj të pikturoj natën dhe në studio jam gjithmonë me kreative. Eksperimentoj duke pikturuar në mure, mobilie“ – thotë Evisi.

Deri më sot SplashLand është një dyqan online, por Evisi do që në të ardhmen të ketë një dyqan studio të prekshëm edhe për klientët, ku përveç disenjimeve me porosi, ata mund të kenë mundësi të zgjedhin rroba të pikturuara.

Ajo që e bën të veçantë punën e saj është edhe fakti që çdo krijim është unik, nuk bie kurrë në përsëritje, duke zgjedhur gjithmonë disenjo të reja apo duke pritur edhe sugjerimet nga klientët.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by ?? Splash Land (@splash_land_) on

 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor