Personazh 2 Qershor 2020

Një arbitre shqiptare në FIFA; Historia e suksesshme e Emanuela Rustës

Personazh

Nga: Zhaklin Lekatari

Viti 2019 dhe ai 2020 janë tejet të rëndësishëm për futbollin shqiptar të vajzave. Viti i shkuar nisi me suksesin e Emanuela Rustës, arbitres së parë shqiptare të pranuar nga FIFA, ndërsa ky vit me suksesin e përsëritur të futbollistes së ekipit “Vllaznia”, Medi Doçi, e cila u zgjodh për të dytin vit radhazi si golshënuesja më e mirë në botë. Rritjen dhe zhvillimin e futbollit për femra e konfirmoi edhe Emanuela në bisedën që zhvilluam, për të zbuluar si nisi rruga e saj drejt këtij sporti dhe profesioni, ende i dominuar nga bota mashkullore.

Si nisi pasioni për futbollin? Në ç’moshë dhe në ç’rrethana?

Pasioni për sportin ka nisur herët, pasi kam qenë basketbolliste për ekipin e Elbasanit për rreth shtatë vite; për këtë arsye vazhdova shkollën e lartë në Fakultetin e Edukimit Fizik. Çdo gjë ishte rastësore, sepse lindi nga një vizitë e arbitrit Enea Jorgji gjatë orës së futbollit. Ai ishte në kërkim të disa vajzave të shkathëta, të cilat do të trajnoheshin për t’u bërë arbitre. Profesori dhe vetë Enea, më nxitën, duke thënë që është një disiplinë e bukur, e veçantë dhe me shumë mundësi për vajzat. Në atë kohë, Kolegjiumi i Elbasanit organizonte çdo të premte mbledhje për arbitrit e rinj dhe të vjetër. Kështu, vendosa të merrja pjesë, që të thithja më shumë informacion, por pa kthyer ende përgjigje pozitive.

Si ishte mbledhja e organizuar nga Kolegjiumi? Si t’u duk ajo situatë krejt e re?

Që në mbledhjen e parë më pëlqeu shumë ajo që ndodhte. Bisedat apo diskutimet ishin kryesisht për gabimet që bëheshin gjatë lojës, për rregullat, parregullsitë, problematikat, çastet e dyshimit, faullet, mungesa e përqendrimit dhe çdo problematikë që mund të ketë një arbitër. Interesante për mua ishte fuqia që ka një arbitër në fushën e lojës dhe përgjegjësia për të marrë një vendim të saktë në një kohë shumë të shkurtër.

Si nisi rrugëtimi yt derisa u bëre arbitre?

Rruga ime filloi me takimet që ndodhnin çdo të premte në Kolegjiumin e Elbasanit, shto këtu stërvitjen e përditshme, e cila përfshinte jo vetëm përgatitjen fizike, por edhe rregullat e sinjalistikës gjatë një ndeshjeje futbolli. Në fillim e nisa me ndeshjet e futbollit për fëmijë dhe pjesën më të madhe të kohës shoqërohesha nga trajneri, i cili më këshillonte për veprimet që duhej të ndërmerrja. Pa dyshim që ka pasur një angazhim shumë të madh. Për shembull, kur lexoja rregullat e lojës në fillim, nuk i kuptoja fare, kështu që fillova të shihja përditë ndeshje, madje disa orë në ditë, për të kuptuar si punonin arbitrit, për të zbërthyer manualin. Tre vitet e para isha arbitre vetëm në ndeshjet e femrave, pak nga pak fillova edhe me ndeshjet e meshkujve, pastaj në kategorinë Superiore dhe më pas në Super Ligë.

Si arrite të merrje stemën e FIFA-s dhe të jesh vajza e parë shqiptare në këtë fushë?

Mosha minimale për të aplikuar për stemën e FIFA-s, është mosha 25-vjeçare; për këtë arsye aplikova vetëm vjet dhe Federata Shqiptare përzgjedh se cili nga arbitrit do të përfaqësojë vendin. Pasi FIFA ka marrë listën, hapi i parë është testimi I gjuhës angleze, përgjigjja e të cilit vjen në formë bilete avioni për vendin ku do të zhvillohet (në rastin tim në Lisbonë), kurse hapi i dytë është vazhdimi i testimit, që përfshin rregullat e futbollit, videot e ndryshme dhe normat fizike. Ky testim zgjat një javë, ka një program shumë të ngjeshur dhe është i mbushur me trajnime. Unë kam qenë mes 38 pjesëmarrëseve të reja nga e gjithë botadhe ishim vetëm katër që e kaluam testin fizik. Normat fizike janë të vështira, sepse një arbitër duhet të ketë formë fizike më të mirë ose të mirë sa futbollistët, duke pare që ndjek lojën për 90  minuta dhe nuk ka momente pauze.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu)

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor