Guide per shendetin 21 Maj 2020

Më thuaj sa i drejtë je, të të them ç'sëmundje ke; Kiropraktikeri që shëron duke rivendosur trupin në simetri

Guide per shendetin

Me kalimin e viteve, trupi ynë e humbet simetrinë. Kjo mund të nisë që në fëmijëri dhe vijon të zhvillohet gjithë jetën. Shkaqet janë nga më të ndryshmet dhe me to do të njiheni më poshtë. Po të vëreni me kujdes njerëzit në rrugë, edhe një joprofesionist e dallon që dikush ka probleme në anën e majtë ose të djathtë të trupit. Krahët nuk janë në simetri. Mund të duket si diçka e parëndësishme, deri diku problem estetik, por nuk është ashtu. Personat që kanë asimetri trupore, për rrjedhojë kanë probleme të konsiderueshme shëndetësore.

Ka një terapi që i jep zgjidhje si me shkop magjik këtij problemi dhe ajo është kiropraktika, e quajtur ndryshe, rivendosje e ekuilibrit biomekanik. Kjo është një praktikë shumë e hershme, që radhitet krah  fizioterapisë dhe është zbuluar nga një mjek amerikan, që në Luftën e Parë Botërore.

ÇFARË BËN TË MUNDUR KIROPRAKTIKA?

Duke mos qenë të dy krahët në simetri, trupi vuan. Detyra e kiropraktikës është që ta rregullojë këtë asimetri, duke i vendosur krahët në ekuilibër. E gjitha kjo, vetëm përmes një praktike që aplikohet me duar. Fatmirësisht, në Tiranë ka profesionistë që e kanë studiuar dhe e praktikojnë këtë disiplinë dhe një prej tyre është edhe mjeku fizioterapist, Arjan Llaperi. I diplomuar në Universitetin e Sporteve Tiranë, më pas për fizioterapi-osteopati në Romë, me një Master Shkencor në Fakultetin e Mjekësisë Tiranë, pjesëmarrës në seminare të ndryshme, në vende si: Itali, Zvicër, Gjermani, SHBA dhe Kinë, Llaperi ka arritur të bëjë mrekullipërmes kiropraktikës. U ka kthyer normalitetin, jetën dhe shëndetin shumë pacientëve, e madje disa syresh i ka shpëtuar edhe nga kirurgjia.

Pedagog dhe osteopat i ekipit kombëtar të futbollit, Llaperi është fizioterapisti i preferuar i shumë politikanëve dhe personazheve të njohura në fusha të ndryshme në vend. Në intervistën e mëposhtme, mjeku tregon mënyrën dhe përfitimet e kiropraktikës dhe cilat raste kanë nevojë për t’u trajtuar me këtë teknikë.

DOKTOR, PËRSE PRISHET SIMETRIA E TRUPIT?

Gjumi, qëndrimi, veprimet gabim, pozicionet e detyruara në punë për një kohë të gjatë, çanta e shpinës së fëmijëve, bankat jo të përshtatshme, qëndrimet ulur për një kohë të gjatë, qofshin këto edhe gjatë udhëtimeve, këpucët jo të duhura, mënyra e gabuar e kafshimit (sepse edhe ai ndikon në performancën fizike të kolonës vertebrale).

MUND TË SHKAKTOJË ASIMETRIA SËMUNDJE NË ORGANIZËM?

Kur asimetria zgjat në kohë, sigurisht që shkakton probleme. Një prej tyre, që e ndeshim shpesh, sidomos te femrat, është skolioza, apo thënë ndryshe, deformimi i shtyllës kurrizore, që ndodh përgjithësisht gjatë shtatzënisë. Gjatë kësaj periudhe kolona tërhiqet përpara, në njërin krah ose në tjetrin, duke arritur deri aty sa të shkaktojë hernie diskale, e cila është çarje e diskut në fund të kolonës.

ÇFARË BËN TË MUNDUR KIROPRAKTIKA?

Rivendosjen e këtij ekuilibri mekanik të munguar, sepse sistemi nervor që del nga kolona, shpërndahet në të gjithë trupin, majtas dhe djathtas dhe sa më shumë të largohet prej saj, aq më shumë rëndohet problemi.

SI APLIKOHET KIROPRAKTIKA DHE A ËSHTË E DHIMBSHME?

Kiropraktika është një lëvizje biomekanike që bëhet nga osteopati, në një kënd të caktuar, kohë të caktuar, me një forcë të caktuar. Kërkon një kombinim preciz të tre elementeve: kohë, pozicion dhe forcë. Gjatë ndërhyrjes që bëhet për të rivendosur ekuilibrin e munguar, flluskat e krijuara të ajrit plasin dhe çlirojnë artikulacionet e bllokuara, por nuk është e dhimbshme kur bëhet nga profesionistë. Ndaj është shumë e rëndësishme të zgjidhen të tillë për këtë praktikë.

Nga: Elona Jaçellari

Fotografia: Armand Habazaj

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor