Menu për festa 30 Dhjetor 2019

Në kuzhinë me Erinda Ballancën, Avokatja e Popullit zbulon sekretet e recetës së gjelit të detit

Menu për festa

Që receta e këtij gjeli të rezultojë i shkëlqyer, ka disa sekrete. Erinda nuk i ka mbajtur për vete, na i tregoi të gjitha. Përpara se të piqet, gjeli duhet të marinohet. Është pikërisht marinimi dhe temperatura e ulët gjatë pjekjes (duke zgjatur rrjedhimisht, kohën e saj), që e bëjnë gjelin të jetë i butë. Në rast se mishi i derrit nuk është i preferuari juaj, mund ta zëvendësoni me salsiçe të freskëta viçi. Nëse kjo është opsionale, për avokaten është ‘kusht’ që gjeli të qëndrojë, një natë para sa të gatuhet, në lavamanin e mbushur me një shishe uthull të bardhë dhe ujë.

Nëse gjeli është i madh, duhet të vendosim sipër tij një pecetë kuzhine në mënyrë që të marrë lagështinë e marinimit. Pasi të keni vendosur brenda gjelit mbushjen e përgatitur sipas udhëzimeve të recetës, duhet të qepni pjesët e gjoksit dhe barkut me ndihmën e një gjilpëre të madhe dhe spangoje kuzhine. Gjatë pjekjes së ngadaltë, duhet ta lyejmë me salcë soje, gjalpë dhe Cayene Pepper (pluhur speci të kuq). Për të kuptuar nëse është pjekur ashtu siç duhet, duhet të bëjmë provën me një shkop shishqebapi duke e zhytur në pjesën e tulit. Nëse lëngu që rrjedh është i qartë, nuk ka shenja gjaku, atëherë gjeli është pjekur siç duhet. Gjysmë ore përpara përfundimit të pjekjes, heqim letrën e aluminit me të cilën e kemi mbështjellë në fillim, dhe e lëmë të marrë ngjyrën e mrekullueshme të kuqërremtë.

Gjel deti i mbushur me salsiçe derri, spinaq dhe mollë

Përbërësit për 8-10 racione: 2 lugë gjelle vaj, 150 gram qepë të grira hollë, 225 gram spinaq i freskët; i prerë në copa nëse gjethet janë të mëdha, 2 mollë të qëruara, të pastruara dhe të prera në copa të mëdha, 450 gram mish derri i grirë dhe i përpunuar, lëkura e grirë në rende e një limoni, një lugë gjelle trumzë, e grirë hollë 100 gramë thërrime buke, 2 vezë të mëdha, të rrahura, kripë dhe piper i zi i freskët.

Përgatitja: Ngrohni vajin në tigan, shtoni qepët dhe skuqini për 10 minuta derisa të zbuten. Rrisni nxehtësinë, shtoni spinaqin dhe skuqeni derisa qullet. Shtoni mollët dhe skuqini për 2-3 minuta duke i trazuar. Lërini të ftohen. Sapo përbërja të ftohet, përziejeni me mishin e grirë të derrit, me lëkurën e limonit, trumzën, thërrimet e bukës dhe vezët. Mbushja e mishit mund të jetë e ngrirë, ose të jetë bërë gati dy ditë përpara dhe të jetë mbajtur në frigorifer. Gatuajeni gjelin, pasi të keni vendosur brenda tij mbushjen e parapërgatitur, në një tepsi të lyer me gjalpë të mbuluar me letër kuzhine në 180 gradë celsius për një orë e gjysmë, ose derisa të piqet edhe brenda.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor