Bukuria per meshkujt 29 Janar 2019

Kur pasioni lind që në emër; Etnik Shala, stilisti që udhëton në kohë

Bukuria per meshkujt

Nga: Santana Çomora/ Fotografia: Edvina Meta

Këtë herë, në rubrikën “IG Man” përzgjodhëm stilistin e ri nga Kosova, Etnik Shala, i cili ashtu siç ka dhe emrin, ka arritur që në koleksionet e tij të ndërthurë bukur rrafshin e folklorit me modernen. Etniku ka qenë i lidhur me modën që në fëmijëri, edhe atëherë kur ende nuk e kuptonte si koncept. Që herët, familja e tij kishte vënë re një prirje të veçantë tek ai, jo më shumë drejt modës, sesa drejt së bukurës dhe artit në përgjithësi. Ai kujton që në klasë të katërt, në një aktivitet shkollor kishte përdorur çarçafët e shtëpisë për të krijuar një perde për një shfaqje teatrale. Askush nuk e kishte besuar që e kishte bërë vetë. Lidhja e tij me të bukurën i ka rrënjët të thella, që në embrion:

“Nëna ime nuk e pëlqente qëndisjen, por gjatë kohës që ishte shtatzënë me mua, i lindi një dëshirë e madhe për t’u marrë me qëndisma. Madje nisi një kurs rrobaqepësie dhe bleu edhe makinë qepëse. Por, ky pasion zgjati vetëm nëntë muaj, sepse më pas nuk e pati më këtë dëshirë. Edhe sot e kësaj dite, ajo nuk i jep dot shpjegim kësaj gjëje, se si i erdhi dhe iu zhduk ky pasion.” Ai nuk ka studiuar asnjëherë modë. Vetëm pasioni dhe dëshira për të mësuar e kanë çuar këtu ku është tani.

“Më pëlqen të jem ai shembulli që falë punës dhe pasionit tejkalon vlerat e çdo diplome. Ky është një bekim që më ka ardhur nga Zoti, dhe që mundohem ta ushqej me dashuri çdo ditë.”

Krijimet e tij të para morën jetë pikërisht kur ai ishte vetëm 17 vjeç, duke fituar dhe vendin e parë në një konkurs për stilistin më të mirë shqiptar, në vitin 2012. Etniku frymëzohet nga çdo gjë. 25-vjeçari përpiqet që pjesën e lumturisë dhe të plotësimit të vetes, ta transmetojë në koleksionet e tij. Djaloshi kosovar nuk është se ka ndonjë arsye të veçantë që e lidh me të kaluarën; ai thjesht e do vendin e tij, ndien dhimbje dhe krenari për të shkuarën e pasur me një etnografi që tregon për vlera hyjnore, duke e bërë pjesë të koleksioneve të veta. Një nga punimet më të bukura të tij ka qenë koleksioni kushtuar këngëtares së njohur Nexhmije Pagarusha, për 85-vjetorin e saj të lindjes. Ky koleksion ishte një dhuratë shumë e çmuar për artisten e madhe, e cila, sipas Etnikut, së bashku me këngëtaren Vaçe Zela janë të papërsëritshme, jo vetëm për talentin e tyre, por edhe për sakrificat e kohës, duke ditur se sa i vështirë ka qenë arti i asaj kohe. Ndërkohë, në punët e tij mund të përmendim dhe koleksionet e tjera, si: “Geisha”, “Pupla dhe perla”, “Simfonia e luleve”, “Muzë” etj.

Sot, ai dallon për një stil avangardë, të pastër dhe të vështirë në realizim. Stilisti kosovar mendon se arti është emocion, prandaj mundohet që veshjet që skicon, të kenë një lloj magnetizimi. Stili vintazh është më pranë tij, sepse çdo trend i ditëve të sotme e ka bazën tek e shkuara. “Ne mundohemi t’i shtojmë ngjyrat, detajet dhe emocionet e kohës së sotme, për ta freskuar e për ta quajtur trend, por bazat mbeten tek e shkuara”, – thotë ai.

Gardëroba e tij nuk përmban ndonjë numër të madh veshjesh. Nuk i pëlqen të ketë shumë, por ato që ka, duhet të jenë të veçanta, pavarësisht nëse i qep apo i blen. Ai reflekton një artist ndryshe nga mosha e tij, duke i ofruar publikut një koleksion përjetësie me njerëz në kohë të ndryshme, të cilët marrin jetë në ditët e sotme. Parapëlqen të jetë unik e jo të luajë me trendet. Eksperimenton me stile të çuditshme, duke qenë vetvetja. Ai disenjon si për meshkuj, ashtu edhe për femra, por i kushtohet më shumë gjinisë së bukur, asaj femërore.

Ky shërbim fotografik u realizua nëpër rrugët e Tiranës, jo pa qëllim. Kohët e fundit bien në sy muret e lyera me grafite, në të cilat disa vizatime shkojnë tek e shkuara, duke ecur drejt së ardhmes. Etniku është personazhi i duhur, që duket sikur udhëton në kohë të ndryshme nëpër këto murale, duke evokuar të shkuarën, për të përcjellë sa më bukur të tashmen. 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor