
NGA Santana Çomora | FOTOGRAFIA: Armand Habazaj | FASHION EDITOR: Stela Plaka | MAKE UP ARTIST: Arbresha Dika
«Me origjinë nga Maqedonia, por rritur e lindur në Gjermani, Arbresha nuk mund t’i harrojë rrënjët e saj. Së fundmi, gjendet në Shqipëri, ku ka ardhur të kalojë pushimet në jug të vendit, kështu që përfitojmë nga rasti për të bërë një shërbim fotografik e për të biseduar gjatë rreth këtij profesioni që, për ne femrat, është gjithmonë një temë e nxehtë. Gjithashtu, ajo do të na tregojë disa truke për një grim perfekt. »
Edhe pse kishte vite që e ushtronte këtë profesion, bashkëpunimi me fotografin me famë botërore, Fadil Berisha, i dha një dimension tjetër profesionit të saj. Ajo është e njohur në botën e make up-it, si një njeri që punon me profesionalizëm, guxon të provojë trende të reja, si dhe është njohëse shumë e mirë e morfologjisë së fytyrës.
Si lindi pasioni për make up-in?
Pasioni im i ka rrënjët që në fëmijëri. Mbaj mend që kur isha diku rreth moshës 9 vjeç, përdorja fshehurazi tualetet e sime mëje dhe të motrës. Duke u rritur, kuptova që i dashuroja ngjyrat dhe doja të punoja me to.
Sa kohë ju desh që t’ia merrnit dorën, apo pasioni mundi çdo sfidë?
Tani që më bëtë këtë pyetje, m’u kujtua fjala e urtë popullore “Sa të rrosh, do të mësosh!” Siç e dini, në çdo profesion ka sfida të reja, të cilat të ndihmojnë të promovosh dhe të përmirësosh veten. E njëjta gjë ndodh edhe me një make-up artist. Personalisht mendoj se këto 7 vitet e fundit më kanë ndihmuar të përsosem më shumë nga ana profesionale.
Në sa aktivitete të kësaj fushe keni marrë pjesë?
Aktivitete janë shumë, por mund të përmend koncertin e grupit Aerosmith, Wrangler Fashion Show, Hugo Boss Show, Porsche, Mercedes, Bosch, Angel Haze Konzert, Cro Musik Video, Unsere Zeit jetzt Film Premiere, Sherri Hill Show, Ermonela Jaho, Rich & Royal, Albanian American Success Stories, Westwing Jubiläum, Bettina Zimmermann (Filmactor), etj.

Si një make up artist-e me përvojë, çfarë mund të na sugjeroni? Cilat janë tendencat e vitit 2017? Ç’ngjyra dominojnë më shumë dhe kujt duhet t’i japim më shumë rëndësi, syve apo buzëve?
Tendencat janë për një make-up sa më natyral. Nuk duhet të harrojmë se për të patur një grim perfekt, së pari, duhet aplikuar një krem hidratues me faktor mbrojtës. Më pas, një krem pudër që përshtatet me ngjyrën e fytyrës. Në këtë periudhë sugjeroj një shkëlqyes buzësh që hidraton dhe njëkohësisht thekson konturet, sepse një buzëkuq normal e than buzën. Sa për sytë, luani me ngjyrat e ndritshme, si: e verdhë, ciklamin, rozë dhe e artë. Përdorni një penel me ngjyrë, si për shembull të gjelbër, por asnjëherë mos harroni vetullat, që janë korniza e fytyrës. Një laps me ngjyrë të përshtatshme, i bën gjithnjë më të dukshme. Për të theksuar ngjyrën e syve, mos harroni të vini edhe rimelin. Guxoni! Largohuni nga e zeza klasike dhe përdorni rimel me ngjyrë, si: gri, lejla, turkuaz. Në fund, mos harroni highlighterin, pluhurin ndriçues që i jep fytyrës përkëdheljen e fundit.
Si u lidhët me fotografin Fadil Berisha? Si krijuat kontaktet dhe sa punë numëroni së bashku?
Nju Jorku është një prej qyteteve të mia të preferuara dhe përpiqem ta vizitoj sa më shpesh që mundem. Në një prej udhëtimeve të mia, diku rreth vitit 2015, i shkrova një imejl Fadilit ku i shpreha dëshirën për të punuar së bashku. Kërkesë e çuditshme, apo jo? Dua të them se, në Nju Jork ka plot make up-artist, pse duhej të punonte me mua? Pas një jave mora përgjigje nga asistentja e tij, e cila më kërkoi të paraqitesha në studion e tij në Manhatan. Ishte një mrekulli! Fadili është njeri shumë punëtor, mendjehapur dhe me një shije të kultivuar për të bukurën dhe estetikën. Ishte kënaqësi të punoje me të. Pasi pamë website-in tim bëmë një prove dhe më pas një shërbim fotografik me Mirjeta Shalën, Miss Univers Kosova 2015. Ndërkohë, fati trokiti përsëri në portën time. Pas një jave pata kënaqësinë të punoja me sopranon e njohur, Ermonela Jaho. Viti 2016 shënoi një bashkëpunim tjetër të suksesshëm në New York Fashion Week, ku punova së bashku me stilisten amerikane Sherri Hill. E tani, mezi pres punën e radhës.

Dhe së fundmi, a grimohen mirë vajzat shqiptare?
Të kesh stil dhe të dukesh bukur, jo domosdoshmërisht është e lidhur me kombësinë e një gruaje ose vajze. Nuk ka rëndësi nëse jeton në Shqipëri, Gjermani apo Amerikë. Sipas meje, stili nuk ka lidhje me vendin. Tendenca aktuale është shumë e thjeshtë: Less is more. Për ato gra dhe vajza që ndihen ndoshta të pasigurta se çfarë duhet të përdorin, rekomandoj një grim sa më të thjeshtë dhe praktik.