Bukuria per meshkujt 21 Janar 2017

Emirjon Halili: Ja si më kanë ndihmuar dy operacionet plastike në jetën time

Bukuria per meshkujt

buzukr

Emirjon Halili, 25 vjeç, nga qyteti i Shkodrës, ka bërë dy ndërhyrje estetike në portret. Fillimisht në hundë, pastaj ka fryrë buzët dhe ka theksuar konturet e tyre. Pamja e jashtme, mendon ai, është thelbësore për të gjetur një punë të mirë, por pse jo, edhe një të dashur më të bukur. Emirjoni është i pasionuar pas “bisturisë” dhe dëshiron që në të ardhmen të bëjë edhe ndërhyrje të tjera. Sot BUKURIA është bërë thelbësore edhe për MESHKUJT...
Thonë se mashkulli duhet të jetë pak më i bukur se majmuni, por unë s’mendoj kështu. Kohët kanë ndryshuar e ana estetike luan një rol të rëndësishëm në jetën tonë. Mashkulli duhet të jetë vizualisht i bukur, për të gjetur një punë më të mirë, për të bërë karrierë, pse jo, edhe për të pasur sukses në dashuri. Për këtë arsye, pamja e jashtme mbetet e rëndësishme. Janë disa gjëra që njeriu i ka kompleks dhe për mua kanë qenë defektet në portret. Kam pasur trup atletik dhe të palestruar, por gjithmonë e kam vuajtur faktin se kam pasur një hundë të madhe e të shtrembër, gjë që më pengonte të ndihesha rehat me veten. Kur ke defekte, bëhesh objekt bisedash, talljesh e pa dashje, krijohen komplekse. Më kanë thirrur “hundëderr” e “Pinok” kur isha adoleshent, por tani m’u dha mundësia të korrigjoja diçka që e kam urryer në pamjen time dhe ndihem i lumtur për këtë. Qëkur kam kryer ndërhyrjet estetike, kam më shumë sukses. Në punë, por mbi të gjitha, në jetën sentimentale, jam më i kërkuar. Kush më “gjuan” tani ka pamje më të mirë se kush më gjuante më përpara dhe nuk mund të tregohem hipokrit e të them se kjo gjë nuk më pëlqen.
Në Shqipëri është tabu që meshkujt të bëjnë ndërhyrje estetike, kurse për mua është diçka e zakonshme. Unë kujdesem për veten, madje dhe vetullat i heq rregullisht. Sa për paragjykimet, as që kanë rëndësi për mua. Për sa i përket familjes, prindërit më donin ashtu si isha.
Ata s’dolën kundër vendimit tim, por as nuk më inkurajuan. Kurse motra, që është më e re në moshë dhe di peshën që luan në shoqëri ana estetike, më ka mbështetur prej fillimit. Nga miqtë dhe shoqëria në Shkodër, nuk ndihem i paragjykuar. Mbase në Shkodër jam personi i vetëm që e pranoj se kam bërë ndërhyrje, por po e përsëris, njoh plot meshkuj të tjerë që i kanë bërë, vetëm se u mungon guximi për ta pranuar.
Lexoj shumë në lidhje me operacionet plastike, jam i dhënë pas tyre. Në një të ardhme të afërt do të bëj një ndërhyrje tjetër. Balli s’më pëlqen, e kam të madh e të gjerë. Por kjo ndërhyrje është e vështirë dhe e ndërlikuar, ende nuk jam gati.
Do t’u sugjeroja të gjithë atyre që kanë një kompleks në vetvete ose s’ndihen mirë me paraqitjen, që të ndërhyjnë për ta rregulluar, pasi është gjëja më e thjeshtë për t’u bërë, pa dhimbje. Por do t’u sugjeroja të zgjidhnin profesionistin e duhur, që të ndërhyjnë në përpjesëtim të drejtë me përmasat e fytyrës, pa e shkatërruar portretin. Unë jam shumë i kënaqur nga puna në klinikën “Keit”, sepse nëse nuk u them unë njerëzve që kam bërë buzët, ata nuk arrijnë ta kuptojnë dot vetë”.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor