News / 18 Qershor 2016, 09:19

Juna Manaj, një zë premtues

zeriad

Juna Manaj është një këngëtare shqiptare, e cila ka lindur dhe është rritur në Frankurt, Gjermani. Me një bukuri hyjnore e zë melodioz, ajo ka bërë për vete mijëra njerëz. E gjej në Tiranë, në këto ditë pranvere, për regjistrimin e një kënge të re. Arrijmë shpejt të bëjmë një shërbim fotografik si dhe një bisedë rreth saj, karrierës dhe së ardhmes. Ajo na rrëfen se karrierën artistike e nisi që e vogël. Duke qenë se dhe i ati ishte këngëtar, Juna u rrit me muzikën në shpirt. Do të ishte pikërisht babai i saj, ai që identifikoi talentin e Junës. Koncerti i parë për të do të ishte një konkurs i vogël në shkollë, kur ajo ishte në klasën e pestë, në të cilin spikati menjëherë për një zë të fuqishëm. Kujton se Christina Aguilera ishte këngëtarja e parë që e frymëzonte në atë moshë. Viti 2008 shënoi një kthesë të rëndësishme në jetën e saj. Së bashku me 31 garues të tjerë, në moshën 16-vjeçare, ajo mori pjesë në talent show-n “Deutschland sucht den Superstar” (i ngjashëm me American Idol), ku spikati menjëherë nga juria gjermane. Emri i saj filloi të pushtonte mediet vendase, të cilat përmendnin talentin dhe përkushtimin e saj në konkurrim.

dffsdc

Pas DSDS, nisën projektet e mëdha për të. Në vitin 2010 mori pjesë në “Top fest 7” me këngën “Më ndihmo të them lamtumirë”. Tashmë, puna e saj drejtohet dhe nga një menaxher, i cili projekton çdo hap të karrierës së saj artistike. Ajo falënderon ekipin realizues në çdo këngë të sajën dhe shpreson që muzika e saj të mirëpritet nga publiku, sidomos nga ai shqiptar. Për herë të parë erdhi në Shqipëri në moshën 12-vjeçare, por që nga ai moment ka një lidhje të fortë me këtë vend. Sa here i jepet mundësia, vjen dhe qëndron disa ditë, për t’u çmallur edhe me të afërmit që ka këtu. “Më pëlqen Tirana, ritmi i saj. Edhe pse nuk kam lindur këtu, ndiej se kam një lidhje shpirtërore me të. Por, kjo nuk do të thotë që do ta lë Gjermaninë. Atje, tashmë kam nisur karrierën dhe jetën time. Asnjëherë nuk i dihet... Never say never (qesh). Çdo project është i rëndësishëm për mua, pavarësisht se ku zhvillohet. Thotë së vetëm nëpërmjet këmbënguljes, dashurisë për muzikën dhe mbështetjes së familjes, ia ka dalë të vendosë disa piketa për të ardhmen. E dashuron muzikën, ndihet vetvetja kur këndon dhe shpreson të pushtojë tregun muzikor me këngët e saj. Ndihet krenare, ashtu si dhe ne, për çdo talent shqiptar nëpër botë. Momentalisht pëlqen zërin e mrekullueshëm të Dua Lipës, që këndon në Londër, suksesin dhe natyrën e saj. Ashtu si çdo vajzë në moshën e saj, edhe ajo pëlqen të vishet bukur, të ndjekë modën dhe tendencat më të fundit të saj. Le të shpresojmë se së shpejti ajo do të realizojë një këngë të re, e cila mund të shndërrohet edhe në hitin e verës 2016!
Nga Santana Çomora | Fotografia: Endrit Mërtiri | Grimi dhe flokët: Eva Dibra

Horoskop